I akuzuar si spiun britanik, Irani ekzekuton ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes

Publikuar më: 14/1/2023, ora 08:18

I akuzuar si spiun britanik, Irani ekzekuton ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes

Publikuar më: 14/1/2023, ora 08:18

Britaniko-iraniani, Alireza Akbari, që u dënua me vdekje në Iran, është ekzekutuar. Ish zëvendësministri i mbrojtjes i qeverisë së Teheranit ishte arrestuar në 2019-ën dhe shpallur fajtor për akuzën e spiunazhit për Britaninë e Madhe, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak tha se ekzekutimi ishte një “akt i pashpirt dhe frikacak, i kryer nga një regjim barbar”. Sundimtarët e Iranit “nuk kanë respekt për të drejtat e njeriut të popullit të tyre”, tha Sunak, duke shprehur ngushëllimet e tij për miqtë dhe familjen e Alirezës.

Mediat në Iran raportuan se ish-zëvendësministri ishte varur. Kjo vjen pasi autoritetet e Teheranit publikuan një video ku shfaqej Akbari në një rrëfim të detyruar, me ministrin Iranian të inteligjencës që e përshkruan britaniko-iranianin si një ndër agjentët më të rëndësishëm të shërbimit sekret të Londrës.

Akbari, i cili jetonte jashtë, ishte kthyer në Iran me kërkesë të një diplomati të lartë të përfshirë në bisedimet bërthamore me fuqitë e mëdha.

Pasi shkeli atje u akuzua se kishte marrë përsipër një mision spiunazhi “në këmbim të një shishe parfumi dhe një këmishe”. Akbari, në atë kohë, njoftoi publikun se ishte marrë në pyetje dhe torturuar nga agjentët iranianë për më shumë se 3500 orë duke përdorur metoda fiziologjike dhe psikologjike.