Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Ministria e Jashtme sqaron publikun: Aplikimi i Kosovës në Këshillin e Europës nuk ka dështuar

Nga A2 CNN
14 Janar 2023, 12:56 | Kosova
Ministria e Jashtme sqaron publikun: Aplikimi i Kosovës në

Ministria e Jashtme e Kosovës sqaroi publikun lidhur me aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Europës, duke konfirmuar se ky proces nuk ka dështuar dhe se nuk ka ndodhur asnjë votim kundër. Gjithashtu theksohet se Kosova ka siguruar mbështetje të gjerë për të kapërcyer fazën e parë.

 “Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar. Përkundrazi, që nga 12 maji i vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit”, deklaroi ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës.

Kjo ministri shpjegon më tej se shtatorin e kaluar, Sekretariati I Këshillit të Europës dha interpretim ligjor për aplikimin e Kosovës duke konfirmuar se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin me të drejta të plota. Gjithashtu Prishtina zyrtare risjell në vëmendje faktin që ky aplikim është bërë në koordinim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe se ka siguruar mbështetje të gjerë për të kaluar fazën e parë të procesit me 3 etapa.

“Është e rëndësishme të sqarohet se janë tre faza të votimit për anëtarësim të një vendi në Këshillin e Europës. Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, sqaroi Ministria.

Në deklaratë, ministria e jashtme e Kosovës thekson rëndësinë e thyerjes së status-quo-së për anëtarësimin e vendit në organizata dhe instrumente ndërkombëtare, të cilat i sjellin Kosovës përfitime të mëdha.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani