Berisha e Meta: Opozita e bashkuar do të rrëzojë regjimin e Ramës

Publikuar më: 16/1/2023, ora 17:29

Berisha e Meta: Opozita e bashkuar do të rrëzojë regjimin e Ramës

Publikuar më: 16/1/2023, ora 17:29

Në fillim të sesionit të ri parlamentar, Sali Berisha mblodhi deputetët demokratë që e mbështesin, para të cilëve theksoi se viti i sapo nisur është vendimtar për demokracinë e pluralizmin.

“Hyjmë në një vit të një rëndësie vendimtare për demokracinë, për pluralizmin, për shoqërinë shqiptare dhe PD, grupi ynë parlamentar, mbetet totalisht i përkushtuar për të përmbushur me përgjegjësi të plotë, kemi përpara zgjedhjet vendore, të cilat duhet të përmbysin monizmin e plotë në Shqipëri, të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Duke akuzuar mazhorancën se po bën gjithçka të ndalojë aksionin opozitar në parlament edhe me rrëzimin e kërkesës së PD për të ngritur një komision hetimor për udhëtimet e kryeministrit Rama me charter, Berisha u shpreh para deputeteve se ky vendim nuk do ta ndalë opozitën të hetojnë çdo lëvizje të Ramës.

Ky nuk do të na lejojë ne të hetojmë. Ne do e hetojmë atë në çdo qelizë. Do e hetojmë në gjithçka, do e hetojmë në çdo gjë që dyshohet se janë vjedhur taksapaguesit shqiptarë. Kryedemokrati beson se në zgjedhjet e 14 majit qytetarët do t’i japin përgjigje atij që ai e quan regjim i Edi Ramës. Të njëjtin mendim ndau edhe aleati i Berishës, kreu i partisë së lirisë Ilir Meta.

“Prej katër vitesh, jemi në kushte të një regjimi monist mizor që nëpërkëmb të drejtat e qytetarëve. Një regjim të tillë, Europa nuk e ka njohur prej dekadash, dhe ndëshkimi do jetë tërësisht i merituar dhe kam besim se opozita e bashkuar do të garantojë ndryshimin e vonuar që kanë kërkuar prej kohësh qytetarët”, tha Meta. Berisha e Meta u shprehen se opozita do të jetë e bashkuar në zgjedhjet vendore, por një tjetër deputet i PD, Fation Veizaj, nga qarku Vlorë njoftoi lënien e mandatit të deputetit. Arsyeja kryesore pse Veizaj largohet ishte përçarja e Partisë Demokratike. Ai do të zëvendësohet nga Gëzim Ademi, i cili vjen nga radhët e PDIU.