Enciklopedia e shqiptarëve, Kraja: Projekt i vështirë, por nga mosmarrëveshjet janë arritur marrëveshje

Publikuar më: 16/1/2023, ora 11:30
GJINUSHI frame 9291 1280x720

Enciklopedia e shqiptarëve, Kraja: Projekt i vështirë, por nga mosmarrëveshjet janë arritur marrëveshje

Publikuar më: 16/1/2023, ora 11:30

Një punë e mundimshme, por nga mosmarrëveshjet konstruktive janë arritur marrëveshje. Kështu u shpreh kryeakademiku i Kosovës, Mehmet Kraja, në konferencën e përbashkët me homologun shqiptar Skënder Gjinushi, në mbledhjen e thirrur për punën përgatitore të hartimit të enciklopedisë së shqiptarëve. Sipas Krajës, ka ardhur koha që të kemi enciklopedinë e përbashkët, pavarësisht vështirësive dhe sfidave që kërkon ky proces. Teksa përmendi problematikat, Kraja theksoi se kjo punë përgatitore është zhvilluar në një atmosferë të mirë dhe tashmë mbetet një punë e madhe për ta përfunduar me sukses.

“Ka qenë punë e mundimshme  për të ardhur deri këtu se punët përgatitore janë të ngatërruara, kemi të bëjmë me dy akademi se kanë edhe struktura dhe fizionomi legjislative të ndryshme. Ky ka qenë një nga problemet, pastaj bëhet fjalë për një dokument mes dy shteteve që është një punë më vete. Të gjitha këto janë bërë në një atmosferë të mirë të punës dhe jemi marrë vesh për detaje. Mosmarrëveshjet kanë qenë konstruktive saqë nuk ka qenë e vështirë që nga mosmarrëveshjet të dalim te marrëveshjet. Ato kanë qenë mendime ndryshe për çështje të caktuara. Ky është akti i fundit organizativ dhe me këtë akt redaksitë tona janë të konstituuara dhe na mbetet një punë shumë e madhe për të çuar më tutje procesin e punës. Është një projekt i vështirë, por mendoj që si institucioni, pushteti e populli kemi ardhur në një fazë që duhet të kemi enciklopedinë tonë. Ne duhet të bëjmë enciklopedinë shqiptare, duhet të kodifikojmë dijet shkencore në të gjitha fushat, por mund dhe duhet t’ia dalim. Ajo që është me rëndësi është që nuk do të ketë sfida që do konsistonin në luhatshmërinë tonë për ta kryer. Ne duhet ta kryejmë këtë projekt. Arsyeja që jemi këtu, mendoj që është një hap më tej. Do ta përfundojmë edhe këtë”, theksoi Kraja.

Nga an e tij, kreu i akademisë shqiptare Skënder Gjinushi e vuri theksin te mirëkuptimi, pavarësisht barrës së rëndë, siç tha ai, që akademitë kanë marrë përsipër.

“Do të shtoja që kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë, se që kur u ndërmor ideja për këtë vepër madhore, kemi pasur mirëkuptim të fortë. Kemi marrë përsipër një barrë të rëndë që do një bashkëpunim shumë të mirë. Përgjegjësia i takon redaksisë qendrore dhe pastaj redaksive kryesore në Kosovë e Shqipëri. Kjo mbledhje e parë shtron rrugën për këtë gjë”.

Mbledhja është thirrur nga dy kryesitë e akademive, ku në rend dite ka edhe zgjedhjen e drejtuesve të redaksisë.