Normat rrezikojnë kreditë. Rriten lehtë huatë me probleme, në rënie kërkesat e reja

Nga A2 CNN
16 Janar 2023, 14:57 | Ekonomi
Normat rrezikojnë kreditë. Rriten lehtë huatë me probleme,

Këstet e shtrenjtuara si pasojë e rritjes së interesave mund të sjellin shtim të kredive me probleme. Ndonëse e lehtë, shenja e parë u dha në nëntor. Kreditë e papaguara në kohë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, u rritën në 5,05% nëntorin e vitit të shkuar, nga 5% në tetor.

Eksperti i ekonomisë, Igli Tola, u shpreh: “Risku më kryesor në këto momente është ai i mosshlyerjes së kredive. Risk ky si për palën kredidhënëse, ashtu edhe për atë kredimarrëse. Kjo pasi rritja e kostove të jetesës vështirëson pagesën e detyrimeve të kësteve të kredive”.

Nga ana tjetër, rritja e normave të interesit si në lekë, ashtu edhe në euro, ka bërë që qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë të trokasin më rrallë në banka për të marrë kredi. Nga gati 25 miliardë euro nëntorin e vitit 2021, vlera e kredisë së re, sipas Bankës Qendrore, ra në diçka më shumë se 20 miliardë lekë, duke u tkurrur kështu me 23,23%.

“Dihet që nuk është momenti për të marrë kredi. Kjo situatë, e goditjes së çmimeve dhe normave të larta, pritet të zgjasë në afatmesëm deri në arritjen e një stabiliteti”, shprehet Tola.

Shtimi i kredive të këqija dhe ngadalësimi i huave të reja vlerësohen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore si dy rreziqe potenciale që mund të prishin balancat në sektorin bankar këtë vit.

A2 CNN Livestream

A2 Business