“Të gjejmë shqiptarët...”, Ministria e Jashtme i dorëzon ambasadorit britanik një notë verbale

Nga A2 CNN
16 Janar 2023, 12:46 | Politikë
“Të gjejmë shqiptarët...”, Ministria e Jashtme i

Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith, është thërritur në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe i është dorëzuar një notë verbale, lidhur me deklaratat e ministrit të Emigracionit britanik, Robert Jenrick.

Britaniku ditën e djeshme u shpreh me frazën “të gjejmë shqiptarët, t’i ndalojmë ata, t’i çojmë në aeroport dhe t’i kthejmë në Tiranë”, duke shkaktuar reagimin e ministres së Jashtme, që deklaroi se ishte e tronditur nga gjuha e përdorur kundër shqiptarëve.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme, “përmes kësaj Note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve”.

MEPJ vijon duke kërkuar “shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra, së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare” dhe kujton se dy vendet “janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/14/deklarata-e-ministrit-britanik-kunder-shqiptareve-reagon-xhacka/

A2 CNN Livestream

Latest Videos