Arrestohet Matteo Messina Denaro, gazetari sicilian heq mustaqet pas 50 vitesh live në televizion
Arrestohet Matteo Messina Denaro, gazetari sicilian heq mustaqet pas 50 vitesh live në televizion
Gazetari sicilian Pino Maniaci, një veteran i luftës ndaj Mafias, hoqi mustaqet që i mbante prej 50 vitesh teksa po jepte live lajmet në televizionin lokal që drejton vetë, pasi kishte premtuar se do ta bënte këtë veprim nëse bosi i Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro, do të ishte arrestuar. Teksa prezantonte raportimet dhe kronikat për ngjarjen e madhe, Maniaci kishte thërritur në studio berberin e tij personal dhe live në TV hoqi mustaqet.
Prej më shumë se dy dekadash, Maniaci punonte në televizionin e tij, të quajtur “Telejato”, ku përpiqej të ekspozonte krimet dhe korrupsionin e Cosa Nostra, gjë për të cilën ka rrezikuar edhe jetën, duke i shpëtuar disa atentateve.
“Ata janë fundërrinat e Sicilisë”, thoshte Maniaci në një intervistë për CNN në vitin 2016. Edhe të hënën, teksa jepte lajmin e arrestimit të Denaro-s, buzagaz Maniaci etiketonte në të njëjtën mënyrë Kumbarin e fundit të Mafias.
Pavarësisht se televizioni i tij është tepër modest, sipas raportimeve në Itali, edhe ish-bosi i Mafias, Bernardo Provenzano ndiqte transmetimet për të mësuar se çfarë Maniaci dinte dhe denonconte.