“Beteja” për vulën e PD, Alibeaj tërhiqet nga padia për 18 dhjetorin, Apeli pushon çështjen

Nga A2 CNN
17 Janar 2023, 09:14 | Politikë

Nga 17 janari, grupimet e Partisë Demokratike do të kenë një përballje gjyqësore më pak në betejën e tyre për vulën e partisë. Gjykata e Apelit vendosi të pushojë shqyrtimin e ankimit të bërë nga grupi i Enkelejd Alibeajt, kundër Shkallës së Parë, e cila refuzoi ligjërimin në një vendim të vetëm Kuvendet Kombëtare të 17 korrikut dhe të 18 dhjetorit 2021, të dyja të thirrura nga Lulzim Basha.

https://youtu.be/-o1brZ2FoBk

Vendimi erdhi pas disa shtyrjeve dhe tërheqjes së vetë ankimuesve. “PD ka marrë një vendim, që të heqë dorë nga ankimi i paraqitur për pasqyrimin e ndryshimeve të statutit të ndryshuar të 17 korrikut dhe 18 dhjetorit. Kjo vendimmarrje, besojmë do t’i heqë të gjitha argumentet Gjykatës së Apelit Tiranë për të pasqyruar dhe për të marrë në shqyrtim në një kohë sa më të shkurtër ankimin e bërë ndaj vendimit të z. Zhukri. Në një kohë sa më të shkurtër edhe para zgjedhjeve lokale të 14majit, mendojmë se ka kohë të mjaftueshme gjykata për t’i dhënë përgjigje përfundimtare të gjitha pretendimeve lidhur me ligjshmërinë e vendimmarrjeve të Kuvendit të 11 dhjetorit”, tha avokati Indrit Sefa.

Në 18 mars 2022 gjyqtarja Muça pranoi të ligjërojë vetëm kërkesën e parë për vendimet e Kuvendit të korrikut. Kjo pasi në kohën e shqyrtimit, në gjykatë kishte mbërritur një tjetër kërkesë për Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor. Për këtë shkak, gjykata arsyetoi se regjistrimet për të njëjtën parti politike duhej të ndiqnin rendin kronologjik nga pikëpamja kohore. Kësisoj 18 dhjetori i Bashës vinte i treti në radhë. Avokati Sefa e arsyetoi tërheqjen si mënyrë për të përshpejtuar shqyrtimin në Apel të ankimit të bërë nga Alibeaj kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, që regjistroi të gjitha vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit Berishës.

“Të gjitha çështjet e ngritura në këtë ankim mund të trajtohen në një kohë tjetër, por qëllimi, megjithëse ne pretendojmë që të gjitha argumentet qëndrojnë dhe mund të bëhen pengesë për në rast të një vendimmarrjeje të Apelit për rikthim të çështjes për rishqyrtim në Shkallën e Parë, do të bëhej një pengesë e madhe për shqyrtimin e ligjshmërisë të aktivitetit të Partisë Demokratike gjatë gjithë kësaj periudhe dhe të vetëquajturit Kuvend të 11 dhjetorit, atëherë në mendojnë që kërkesa për heqje dorë do t’i shërbejë edhe zgjidhjet se situatës politike dhe ngërçit juridik në të cilin ndodhet PD”, tha Sefa.

Pushimi i kësaj çështjeje në Apel i jep fuqi regjistrimit në Gjykatë të ndryshimeve statutore të korrikut 2021, por nuk zgjidh çështjen e vulës së PD. Në Apelin e Tiranës pret shqyrtimin ankimi i bërë nga Alibeaj kundër vendimit të Agron Zhukrit, si edhe i ankimit të bërë nga PD kundër pranimit të Alibeajt si palë në proces. Avokati Sefa paralajmëroi se për Kuvendin e 18 dhjetorit grupimi që përfaqëson do t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë brenda javës.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos