“Palermo është e jona, jo e Cosa Nostra-s”, të rinjtë duartrokasin karabinierët që arrestuan bosin mafioz

Publikuar më: 17/1/2023, ora 07:17

“Palermo është e jona, jo e Cosa Nostra-s”, të rinjtë duartrokasin karabinierët që arrestuan bosin mafioz

Publikuar më: 17/1/2023, ora 07:17

“Palermo është e jona dhe jo e Cosa Nostra-s”. Me këto thirrje qytetarët e Palermos u mblodhën mbrëmjen e djeshme përpara rajonit të policisë, Carlo Alberto Dalla Chiesa, pas kapjes së bosit të Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro.

Një grup studentësh brohoritën për arrestimin e tij, ndërsa dhjetëra të rinj me flamuj dhe parulla donin të falënderonin policinë.

Një arrestim i pritur nga qytetarët e Palermos për tridhjetë vjet, që nga kapja e Totò Riina, më 15 janar 1993. Një grusht kundër mafies që zgjoi entuziazmin e qytetarëve të Palermos.

“Është një ditë thelbësore e cila vjen shumë vonë në krahasim me nevojat e Palermos për të hequr qafe këtë barrë. Shpresojmë që policia të zbulojë edhe ndonjë bashkëfajësi dhe marrëveshje në nivele të larta, krahasuar me ato të mafies më të dukshme dhe më banale. Por mafia sot nuk mposhtet”, tha një nga të pranishmit.

Shumë dëshmi u raportuan në media edhe nga qytetarë të thjeshtë. “Ne jemi këtu si qytetarë të ndershëm dhe për ta vlerësuar këtë operacion. Jemi këtu për të falënderuar dhe kujtuar që shteti ekziston dhe sot u shënua rezultati”, tha një zonjë e pranishme.

“Mafia nuk mposhtet, por ky është momenti për të falënderuar forcat e rendit. Ne e lëmë mënjanë politikën sot”, tha një tjetër.