Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Presidenti i përgjigjet zyrtarëve britanikë për shqiptarët: Mashtrim dhe keqdashje për të zgjidhur dëshpërimin e tyre

Nga A2 CNN
17 Janar 2023, 12:57 | Politikë

Mashtrim dhe keqdashje e ka konsideruar presidenti Bajram Begaj, përgjithësimin e shqiptarëve me të kundërtën e asaj që ka treguar historia. Kështu, kreu i shtetit i është përgjigjur deklaratave të ministrit të emigracionit britanik, Robert Jenrick, për shqiptarët. Nga Lezha ku bëri homazhe për 555-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, Begaj tha se duhet t’u kujtojë disave historinë e vendit tonë dhe të Europës.

“Sot, 555 vjet pas vdekjes së tij, në kohën e duhur për të njohur vlerat e këtij populli, të gjeneralizosh shqiptarët me të kundërtën e asaj çka historia e parë gjakftohtësisht e profesionalisht ka treguar, është mashtrim! Është keqdashje! Gjej rastin e këtij përkujtimi të Heroit Kombëtar për të shprehur bindjen se jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit duhet të na rikujtojë fuqishëm respektin e madh për veten. Ai është një nga emrat e ndritur të historisë europiane. Ne shqiptarët edhe sot 617 vjet pas lindjes së Kastriotit të shumë përmendur në shumë kronika e histori, duhet t’i kujtojmë disave historinë e vendit tonë dhe historinë e Europës”.

Duke iu referuar deklaratave diskriminuese të emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilat pati edhe një notë verbale nga ministria jonë e Jashtme, Begaj tha se zyrtarët e lartë duan të zgjidhin dëshpërimin e tyre ditor, duke i rënë në qafë emrit të shqiptarëve.

“Gjergji Kastrioti ishte mbi të gjitha një shqiptar si të tjerë në mote e sot, që kanë në zemër dashurinë për këtë tokë, kanë besim në cilësitë e tyre dhe dinë të arrijnë suksesin për vete e për të tjerë. Këta shqiptarë janë në Shqipëri e kudo në botë edhe atje ku zyrtarë të lartë duan të zgjidhin dëshpërimin e tyre ditor, duke i rënë në qafë emrit të shqiptarëve”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani