Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Ekonomia në vitin 2023: 5 sfidat e qeverisë

Nga A2 CNN
18 Janar 2023, 16:01 | Ekonomi
Ekonomia në vitin 2023: 5 sfidat e qeverisë

Viti 2023 është paralajmëruar si një vit i vështirë, pasi do të mbartë problematikat e vitit që lamë pas. Janë faktorë të jashtëm që do të vijojnë të ndikojnë, si pasojë e luftës në Ukrainë, por edhe goditje të brendshme. Një mozaik faktorësh që shtrojnë përpara ekonomisë shqiptare dhe qeverisë sfida jo të vogla.

Inflacioni i lartë do të jetë padyshim problemi kryesor edhe këtë vit. Shqipëria mbetet shumë e ekspozuar nga rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve të tjera në tregjet ndërkombëtare, për shkak të një niveli të ulët të prodhimit vendas. Duke qenë një importues neto i një pjese të mirë të produkteve që konsumojmë, automatikisht ne do të paguajmë më shumë, në kushtet kur çmimet e këtyre produkteve në tregjet e huaja janë rritur. Një situatë e tillë godet direkt buxhetet e familjeve shqiptare. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, mesatarisht 41.3% e buxhetit të një familje në Shqipëri shkon për ushqim. Për familje me të ardhura të ulëta, kjo përqindje është edhe më e lartë. Rritja e çmimeve do të thotë që pesha e grupit të të ushqimeve në buxhetin mujor të një familje do të rritet. E thënë ndryshe, do të na duhen më shumë para për t’u ushqyer.

https://youtu.be/v6SryoWXttM

Bizneset do të vuajnë gjithashtu, peshën e inflacionit të lartë. Rritja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare do të ndikojë direkt në rritjen e kostove të tyre, në prodhim, transport etj. Kjo do të thotë se kosto për njësi e një produkti do të rritet dhe biznesi ndodhet përpara dy zgjedhjeve: ose t’ia faturojë atë konsumatorit me rritje të çmimit fundor ose ta amortizojë nga norma e tij e fitimit, që për hir të vërtetës është tkurrur, në kushtet e një krizë të përgjithshme dhe shumë dimensionale ekonomike. Pasojat e inflacionit të lartë do të reflektohen me tkurrje të konsumit, që është një ndër burimet kryesore të rritjes ekonomike.

Sfida 1 për qeverinë: të ndihmojë familjet e varfra që do të janë më të goditurat nga kriza e çmimeve, të nxisë konsumin dhe rrjedhimisht, rritjen ekonomike

Një krizë tjetër që këtë vit do t’i bashkëngjitet asaj të çmimeve është kriza e interesave. Në përpjekje për të frenuar rritjen e vazhdueshme të inflacionit, Banka e Shqipërisë nisi vitin e kaluar shtrëngimin e politikës monetare. E thënë ndryshe, rritjen e vazhdueshme të normës bazë të interesit për lekun, nga 0.5% që ishte në mars në 2.75% aktualisht. E njëjta politikë shtrënguese është ndërmarrë edhe nga Banka Qendrore Europiane, e cila ka rritur normën bazë të interesit për euron, që është edhe referenca (eurolibori) kur jepen kredi në monedhën euro.

Rritja e normës bazë të interesit për lekun dhe euron do t’i bëjë më të shtrenjta kreditë, ato të reja që do të kërkohen nga biznesi dhe individët, por edhe ato ekzistuese, në momentin e rishikimit, sipas kontratave specifike. Kjo do të thotë që kostot mujore të kredimarrësve, qoftë në lek, qoftë në euro do të rriten (në fakt rritja ka nisur) dhe këto janë kosto shtesë që rëndojnë në buxhetet mujore.

Në një reaksion zinxhir efektesh, rritja e normave bazë të interesit do të shoqërohet me probleme në kthimin e huave dhe me një rritje të mundshme të treguesit të kredive të këqija. Gjithashtu, pritet të shoqërohet me ulje të kërkesës për kredi, çka do të godasë rritjen ekonomike. 

Sfida 2 për qeverinë: të ndihmojë biznesin ose sektorët prioritarë dhe rrjedhimisht, rritjen ekonomike

Kriza e tretë, por jo më pak shqetësuese është mungesa e fuqisë punëtore. Për shkak të emigracionit të lartë, shumë sektorë, si prodhimi, shërbimet, tregtia etj. kanë mungesë punonjësish. Nuk bëhet fjalë vetëm për punonjës të kualifikuar, por edhe për ata me nivel të ulët kualifikimi dhe ekspertize. Shumë industri sot punojnë me kapacitet të reduktuar dhe vala e emigrimit nuk po frenohet as nga rritja e pagave, që për hir të vërtetës, ka qenë relativisht e ulët.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, paga mesatare mujore bruto gjatë tremujorit të tretë 2022 arriti në 61.613 lekë, duke u rritur me 9.2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Paga mesatare mujore për një të punësuar në sektorin shtetëror është 70.593 lekë, ndërsa për një të punësuar në sektorin privat është 57.613 lekë.

Nga ana tjetër, për të nxitur rritjen e pagave, qeveria vendosi të rrisë pagën minimale në 32 mijë lekë. Një vendim që në fakt rëndoi biznesin, pasi i rriti atij kostot në kohë krize, ndërkohë që për ekzekutivin pati edhe një efekt tjetër pozitiv, që ishte rritja e të ardhurave në skemën deficitare të pensioneve.

Sfida 3 për qeverinë: të ndikojë pozitivisht me politika tregun e punës

Në kushtet e rritjes së kostove nga tregjet ndërkombëtare dhe mungesës së punëtorëve, si pasojë e emigrimit, bizneset ndodhen sot në vështirësi reale. Produktet shqiptare po dalin me kosto të lartë dhe janë bërë më pak të konkurrueshme dhe më pak “interesante” përballë produkteve të importit. Por bizneset janë agjentët kryesorë të ekonomisë, ata që hapin vende pune dhe paguajnë taksa. Një goditje e tyre, ashtu sic po ndodh, do të thotë goditje për të gjithë.

Sfida 4 për qeverinë: të ndihmojë biznesi, duke u ulur në një dialog transparent me të

Paralelisht, qeveria duhet të lehtësojë procedurat dhe të reduktojë burokracitë, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes. Gjithashtu, duhet të gjejë forma për të nxitur investimet e huaja direkte, që mund të jenë një ndër burimet për të nxitur rritjen ekonomike, në kushtet kur burimet e tjera janë të tkurrura.

Sfida 5 për qeverinë: konsolidimi fiskal

Kjo jo vetëm këtë vit, por për një periudhë afatmesme. Edhe pse shenjat e konsolidimit fiskal kanë nisur të shfaqen me buxhetin 2022 dhe buxhetin 2023, sërish kërkohet ndërhyrje në rritjen e të ardhurave, kryesisht në drejtim të luftës kundër evzionit fiskal dhe informalitetit, por edhe reduktimit të shpenzimeve buxhetore, deri në masën që nuk do të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike.

Krizat e njëpasnjëshme, që nisën me tërmetin 2019, më pas me pandeminë e tani me luftën në Ukrainë kanë rënduar buxhetin, që edhe përpara këtyre goditjeve nuk kishte miradministrim fiskal.

Në finale, mendoj që 2023 do të jetë një vit i vështirë, por dhe një provë për të treguar përgjegjshmëri. Qytetarët në menaxhimin e financave personale, bizneset në hartimin e planeve të investimit dhe qeveria në kujdesin me financat publike në një vit, që për më tepër, është edhe elektoral.

https://a2news.com/2023/01/01/pikepyetjet-e-ekonomise-shqiptare/

A2 CNN Livestream

Dita jonë