Moti i keq në vend, anulohen lundrimet, pasagjerët kaluan natën në traget

Publikuar më: 18/1/2023, ora 08:41

Moti i keq në vend, anulohen lundrimet, pasagjerët kaluan natën në traget

Publikuar më: 18/1/2023, ora 08:41

Pasagjerët që do të niseshin mbrëmjen e djeshme nga porti i Durrësit në drejtim të Barit kanë kaluar natën në traget. Gazetarja e A2 CNN, Elitjona Doko, njoftoi se dy lundrimet e trageteve të planifikuara për mbrëmjen e kaluar nga Durrësi drejt Barit janë anuluar, për shkak të motit të keq, ndërsa edhe anijet tregtare dhe ato të peshkimit ndodhen të siguruara në kalatat portuale deri në një urdhër të dytë të Kapitenerisë së Portit. Forca e erës aktualisht varion deri në 35 m/s dhe forca e detit në det të hapur shkon deri në 7 ballë.

“Durrësi po karakterizohet nga prezencë e fortë ere në 24 orët e fundit që ka shkaktuar probleme në portin e Durrësit si në ankorimin e trageteve, në përpunimin e anijeve tregtare dhe sektorin e peshkimit. Mbrëmjen e kaluara janë shtyrë dhe anuluar lundrimet nga Durrësi në Bari dhe dy tragetet pritet të nisen sot në drejtim të Barit. Është anuluar lundrimi edhe nga porti i Ankonës. Pritet qetësim i forcës së detit që në gjirin e Durrësit arriti në 7 ballë çka vështirëson daljen dhe lundrimin në det të hapur. Dy kompanitë që administrojnë tragetet që do të niseshin, njëra prej tyre zgjodhi të bëjë imbarkimin e pasagjerëve në traget kurse tjetra njoftoi pasagjerët për shtyrjen e udhëtimit”, u shpreh gazetarja.

Edhe Gjirokastra ka pasur mot të rënduar për shkak të reshjeve të shumta dhe erës së fortë, por këtë herë problematika ka qenë më e vogël. Gazetari Rigels Malile raporton se, problematika janë hasur në furnizimin me energjie elektrike në disa fshatra për shkak të erës. Aktualisht, po punohet për vënien në punë të tyre.