Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Statusi i investitorit strategjik, rrëzohet propozimi i Tabakut, synohej refuzimi i kërkesave nga 1 janari

Nga A2 CNN
18 Janar 2023, 13:10 | Politikë
Statusi i investitorit strategjik, rrëzohet propozimi i Tabakut, synohej

Propozimi i deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, për refuzimin e të gjitha kërkesave për marrjen e statusit “investitor strategjik” prej 1 janarit u rrëzua në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Nisma e Tabakut u mirëprit pjesërisht nga socialisti Erion Braçe, i cili shprehu rezerva për monitorimin e procesit pas marrjes së statusit të investitorit strategjik.

Nën argumentin se nëpërmjet ligjit të miratuar në vitin 2015 janë kryer abuzime dhe favorizime duke i shkaktuar dëm shtetit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi që gjitha kërkesat prej 1 janarit të këtij viti për marrjen e statusit të investitorit strategjik të refuzohen.

“Ligji i investimeve strategjike është keqpërdorur, ashtu siç kisha dyshime që në vitin 2015. Shtyrja e afateve të këtij ligji ka shërbyer për qëllime korruptive”, deklaroi Jorida Tabaku.

Këto akuza, Tabaku i argumentoi edhe me fushat se ku janë përqendruar deri më tani investimet strategjike.

“Kemi arritur të marrim një informacion se deri sot janë dhënë 36 statuse të investitorit strategjike dhe 27 prej tyre janë dhënë vetëm në fushën e turizmit. këtu ka ndodhur edhe abuzimi i madh me pronat”, u shpreh Tabaku.

Por argumentat nuk ishin bindëse për kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Eduart Shalsi foli me shifrat e turizmit të këtij viti.

“Nëse nuk do të ishte për investimet strategjike nuk do të kishim mbi 6 milionë turistë gjatë sezonit veror”, tha Shalsi.

Nisma e Tabakut u mirëprit pjesërisht nga socialisti Erion Braçe i cili shprehu rezerva për monitorimin e procesit pas marrjes së statusit të investitorit strategjik.

“Ka katër përfitues nga Investimet Strategjike në sektorin bujqësor. Të gjitha në Divjakë. Vetëm njëri ka mbjellë shegë, të tjerat nuk ekzistojnë. Unë nuk mund të pres”, deklaroi Braçe.

Rreth 7 vite më parë, Parlamenti i Shqipërisë miratoi një projektligj të projektuar për të tërhequr investime të mëdha duke u dhënë sipërmarrësve të interesuar statusin e “investitorit strategjik”, me shumë lehtësi ligjore dhe infrastrukturore.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu