I dërguari gjerman për Ballkanin: Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën

Publikuar më: 19/1/2023, ora 16:40

I dërguari gjerman për Ballkanin: Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën

Publikuar më: 19/1/2023, ora 16:40

Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian pa e njohur Kosovën. Ky është qëndrimi i Berlinit, sipas të dërguari të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Duke folur për gazetën serbe “Nova”, Sarrazin tha se hyrja e Serbisë në familjen e vendeve evropiane “nuk është e mundur as pa mediat e lira dhe demokraci”.

“Gjermania ka pasur gjithmonë qëndrim shumë të qartë për këtë çështje, para përfundimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e procesit”, tha Sarrazin.

Ai shtoi se një qëndrimi i tillë është shprehur qartë nga kancelari Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Serbi, në qershor të vitit të kaluar. Sarrazin tha se BE-ja është udhëheqësja e negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës dhe se është e domosdoshme që palët të arrijnë marrëveshje sa më shpejt që është e mundur.

BE-ja, ndërkohë, ka konfirmuar se, më 20 janar, përfaqësuesi i posaçëm evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, do të udhëheqë një vizitë të diplomatëve evropianë dhe amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

Delegacioni do të përfshijë të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltarë të kancelarit gjerman dhe presidentit francez, si dhe një këshilltar të kryeministres italiane.

Qëllimi i vizitës, sipas burimeve evropiane, është përgatitja për mbajtjen e një takimi të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.