Polemika për sekuestrimin e vonuar, bosi i “Cosa Nostra” me dy bunkerë sekretë, “refuzon” gjyqin

Publikuar më: 19/1/2023, ora 16:19

Polemika për sekuestrimin e vonuar, bosi i “Cosa Nostra” me dy bunkerë sekretë, “refuzon” gjyqin

Publikuar më: 19/1/2023, ora 16:19

Brenda kësaj shtëpie ishte një derë e fshehtë brenda një gardërobe, e cila pasi hapej, të çonte në një bunker sekret. Nuk është skena e ndonjë filmi por pjesë e jetës së përditshme të bosit të “Cosa Nostra-s”, Matteo Messina Denaro, njeriut më të kërkuar të Italisë të arrestuar ditë më parë, pas 30 viteve në arrati.

Ai fshihej shpesh në skutën e tij sekrete, e cila nuk ishte e vetmja, pasi një “bunker” tjetër ishte zbuluar më parë, në vetëm 300 metra distancë në Campobello di Mazara të Siçilisë. Policia italiane njoftoi se gjatë kontrollove në këto dy lokacione ka gjetur bizhuteri, gurë të çmuar dhe sende të tjera me vlerë.

Megjithatë ka pasur polemika ndaj drejtësisë për shkak të sekuestrimit të vonuar të pasurive të bosit mafioz. Dyshohet se kjo u mundësoi ndihmësve të Messina Denaro-s të shkatërronin dokumente të shumta që mund të provonin fajësinë e tij. Këtë e vërteton fakti se gjatë operacioneve janë gjetur kuti letre të boshatisura, të cilat mund të kenë qenë plot me dokumente.

Kur u arrestua, bosi mafioz siçilian në puls kishte një orë me vlerë prej 35 mijë eurove, kishte vjedhur identitetin Andrea Bonafede, dhe po konsumonte një kafe në pritje të një seance kimioterapie në një klinikë private. 60-vjeçari po mbahet në një burg të sigurisë së lartë në L’Aquila.

Bosi mafioz, i cili po vazhdon trajtimet ndaj kancerit, refuzoi të shfaqej në procesin gjyqësor për vrasjen e prokurorëve Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino në vitin 1992. Eliminimi i tyre janë vetëm dy nga krimet e shumta që Messina Denaro ka kryer në drejtim të Cosa Nostra-s.