SPAK kërkon shoqërimin e detyrueshëm të Rrajës

Publikuar më: 19/1/2023, ora 17:37

SPAK kërkon shoqërimin e detyrueshëm të Rrajës

Publikuar më: 19/1/2023, ora 17:37

Urdhri i SPAK për shoqërimin e detyrueshëm të Ramazan Rrajës, nipit të deputetit socialist Rrahman Rraja, ka dërguar dy herë Policinë e Shtetit në zonën e Niklës, në Fushë-Krujë, në ditët e fundit.

Tre ditë më parë, policia ka mbërritur në këtë zonë për të zbatuar urdhrin e SPAK për të shoqëruar Ramazan Rrajën për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetime të Prokurorisë së Posaçme, për të cilat mund të ketë dijeni. Pasi nuk kanë pasur rezultat, policia është kthyer në Nikël këtë të enjte. Herën e dytë, oficerët kanë pasur me vete edhe një vendim gjyqësor për kontroll banese. Banesa e kontrolluar në emër të babait të Rrajës, prej disa muajsh përdoret nga xhaxhai i tij deputet, Rrahman Rraja. Sipas burimeve policore, në ambientet e banesës nuk është gjetur Ramazan Rraja, por as ndonjë send tjetër i jashtëligjshëm.

Për shkak të sekretit hetimor, SPAK nuk konfirmon se për cilin hetim do të japë shpjegime Rraja, apo nëse ndaj tij ka një masë sigurie në mungesë.  

Prokuroria e Posaçme ka pasur dyshime për përfshirje të Rrajës në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoi, ku u plagos ish-prokurori dhe u vra shoferi i tij, Andi Maloku, në nëntor 2019, ngjarje për të cilën po gjykohet në Gjykatën e Posaçme Redjan Rraja dhe Artiol Halilaj.

Më herët, Ramazan Rraja është kërkuar për të dhënë deklarime mbi masakrën në mbikalimin e Fushë-Krujës, në qershor 2022, ku u vra Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.