Gjeografia e tregtisë gjatë vitit 2022, Arabia zëvendësoi Kosovën te importet, u rritën prurjet nga Ekuadori

Nga A2 CNN
20 Janar 2023, 14:23 | Ekonomi

Gjeografia e tregtisë së jashtë të Shqipërisë vitin e shkuar pësoi ndryshime si pasojë e luftës në Ukrainë dhe shtrenjtimit të çmimeve. Arabia Saudite zëvendësoi Kosovën te importet ndërsa Gjermania fitoi terren ndaj Spanjës dhe Greqisë te eksportet. Ndër shtet me të cilat Shqipëria ka zgjeruar importet gjatë vitit të lënë pas është Ekuadori.

Lufta në Ukrainë, kriza e çmimeve dhe ajo energjetike reflektuan ndryshime në gjeografinë e tregtisë e jashtme të Shqipërisë gjatë vitit të shkuar. Arabia Saudite zëvendësoi Kosovën në hierarkinë e importeve ndërsa Gjermania fitoi terren ndaj Spanjës dhe Greqisë te eksportet.

Ndryshime ka pësuar edhe harta e produkteve të blerë e shitur. Gjatë 2022-shit, Shqipëria eksportoi më së shumti tekstile, minerale e naftë bruto, materiale ndërtimi si dhe pak ushqime e makineri.

Ndërkohë, piramida e importeve nis me makineritë dhe pjesët e këmbimit, e lëndët djegëse dhe energjinë elektrike, ushqimet e pijet, materialet e ndërtimit dhe produktet kimike e plastike.

Ndër shtet me të cilat Shqipëria ka zgjeruar importet gjatë vitit të lënë pas është Ekuadori. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vlera e mallrave të blerë nga shteti në Amerikën e Jugut arri në 27.5 milionë euro vitin e shkuar duke u zgjeruar me 6.6 për qind në raport me 2021-shin dhe 148 për qind në krahasim me 2012-n.

Veç frutave, kryesisht banane në kontejnerët e të cilave vitin e shkuar u gjet në disa raste sasi e madhe kokaine, të dhënat nga INSTAT tregojnë se në vend hynë sasi të konsiderueshme të peshkut e kafshëve guaskore, pemë e bimë apo ushqime të përgatitura prej mishi i molusqe.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi