
Mes investimit dhe presionit intensiv ndërkombëtar për të arritur një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë brenda 2023, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mbetet ndër pikat më të vështira për t’u zgjidhur.
Ngërçi kushtetues rreth formatit të tij, kundërshtitë e ashpra ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dallimet mes partnerëve ndërkombëtarë, si edhe rreziqet e mundshme rreth aspekteve ligjore të kësaj bashkësie, e bëjnë Asociacionin jo vetëm temën vendimtare, por edhe më të vështirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Edhe në krizën e tensioneve dhe barrikadave të ngritura në veri të Kosovës, e cila karakterizoi mbylljen e vitit 2022 mes Kosovës dhe Serbisë, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe – një pikë e patjetërsueshme presioni nga Beogradi dhe sistematikisht e shmangur nga Prishtina – ishte një temë qendrore.
Më 21 dhjetor të vitit që shkoi, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç përmendi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si zgjidhje të situatës. “Fillimisht Asociacioni i Komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha ai.
Kështu, roli i Beogradit në këtë krizë, krahas kushtit të formimit të Asociacionit, rezultojnë faktorë vendimtarë për proceset mes dy vendeve për të ardhmen e parashikueshme. Pas ndërhyrjes së diplomacisë ndërkombëtare, barrikadat u hoqën. Por kjo nuk është hera e parë që barrikadat hiqen në veri të Kosovës, çka do të thotë se ashtu si më parë, ato mund të vendosen përsëri.
Rrethi vicioz për marrëveshjen
Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe përbën edhe një bllokim institucional. Nga njëra anë, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani këmbëngulin se marrëveshja është jokushtetuese.
Nga tjetra, Serbia mban një qëndrim të palëkundur dhe agresiv për formimin e Asociacionit, duke e shpërfillur ekzistencën e çdo institucioni të Kosovës.
Si palë e tretë ndërmjetësuese, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara këmbëngulin që Asociacioni duhet të formohet, por pa përpunuar publikisht rrugën teknike të materializimit të tij. Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës theksojnë se marrëveshja në fjalë është obligim ligjor i detyrueshëm për këtë vend.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjykoi në dhjetor të vitit 2015 se 23 pika të Marrëveshjes së Asociacionit nuk ishin në pajtim me kushtetutën e vendit. Dhe ky është argumenti qendror rreth të cilit Prishtina orbiton për të arsyetuar pamundësinë institucionale për themelimin e kësaj bashkësie.
Sakaq Kuvendi i Kosovës e kishte ratifikuar në parim këtë marrëveshje që në qershor të vitit 2013, me 2/3 e deputetëve. Por, Statuti i Asociacionit nuk kaloi asnjëherë për votim, për shkak të papërputhshmërisë kushtetuese.
Përfaqësuesit e Bashkimit Europian përmendin shumicën e cilësuar parlamentare në votimin në parim të marrëveshjes si argument domethënës për zbatimin e saj, prej nga mund të arsyetohet që nga pikëpamja legjislative kjo është e njëjta shumicë që ka fuqi të ndryshojë edhe Kushtetutën e Kosovës, duke i hapur rrugën zbatimit të marrëveshjes.
Europianët dhe amerikanët nuk pajtohen për gjithçka
Teksa BE-ja dhe SHBA-ja njëzëri i kërkojnë Kosovës krijimin e Asociacionit, ata kanë dallime mbi themelin ligjor të marrëveshjes. Komisioni Europian priret që ta shmangë diskutimin proaktiv mbi ngërçin kushtetues të Asociacionit, dhe e vendos theksin me këmbëngulje te zbatimi i marrëveshjes, duke mos e parë si pengesë reale faktin që ajo paraqitet antikushtetuese.
Në tetor të vitit 2020, duke adresuar argumentimin e palës kosovare mbi papajtueshmërinë kushtetuese të Marrëveshjes së Asociacionit, Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, vlerësoi që ky shqetësim ishte i tejkalueshëm. “Kushtetuta nuk është Bibla”, vërejti ai, duke shtuar se marrëveshja duhej reflektuar edhe në kushtetutë.
Departamenti amerikan i Shtetit ka pikëpamje të ndryshme. “Më duhet të jem i qartë, kjo nuk është një marrëveshje që do t’i përngjajë Republikës Srpska”, tha Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Në një intervistë për televizionin serb N1, më 19 janar të këtij viti, Chollet theksoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet formuar duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.
Qëndrimi amerikan mbi kushtetutshmërinë e Asociacionit paraqitet i qëndrueshëm. “Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, tha i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së Gabriel Escobar në prill të vitit që shkoi.
Kutia e Pandorës
Mund të ketë më shumë se një arsye përse sugjerimi europian për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës paraqitet një ide me implikime të shumta dhe pasoja të paparashikueshme. Nga njëra anë – të paktën sipas interpretimeve në Prishtinë – vetë krijimi i institucioneve njëetnike është jokushtetues. Ndaj, edhe për t’i hapur rrugën vetë themelimit të një bashkësie të institucionalizuar ku kriteri kryesor është etnia, do të duhej që të ndryshohej së paku ajo pikë e kushtetutës.
Këtu mund të jetë edhe pikënisja e një problemi më të madh. Duke marrë parasysh se janë 23 pika në Statutin e Asociacionit që janë të papajtueshme me Kushtetutën e Kosovës, çdo hap drejt çfarëdo ndërhyrjeje në dokument mbart rrezikun e rrjedhojave të paparashikueshme. Nëse ndryshohet një pikë, përse jo edhe një tjetër? Ku është kufiri i ndryshimeve përtej të cilit nuk shkohet? A do të kishte më një kufi?
Një prej problemeve më të dukshme mund të jetë edhe vetë precedenti i ndryshimit të kushtetutës, si diçka që mund të kërkohet të ndodhë sërish kur ekziston çfarëdo presioni madhor. Në fakt, ndryshimi i kushtetutës për hir të Asociacionit është një subjekt aq i ndjeshëm dhe jopopullor, sa edhe vetë BE-ja e ka ngritur si mundësi, por pa e përqafuar në formën eksplicite të një qëndrimi zyrtar.
Prej këtej, mbetet e paqartë dhe është temë e një diskutimi më të madh që po ndodh kryesisht larg syve të publikut të gjerë, sesi mund të materializohet një bashkësi e tillë pa prekur kushtetutën.
Standarde të dyfishta dhe dyzim
Duke përjashtuar qëndrimin përgjithësisht të qartë dhe të qëndrueshëm amerikan, të gjitha palët e tjera të përfshira në qerthullin e Asociacionit nuk kanë ruajtur një standard të vetëm mbi respektimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Për shembull, ky institucion vendosi në vitin 2016 që Manastirit të Deçanit t’i kthehen 24 hektarë tokë – një çështje kontroverse dhe e ndërlikuar pronësore. Megjithatë, qeveria e Albin Kurtit, sikundër edhe forca të tjera politike më parë, kanë refuzuar ta zbatojnë këtë vendim.
“Ne kemi rezervën tonë të zakonshme për vendimet e regjimit të Millosheviçit, të cilat për bindje time, çuditërisht janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar ajo nëpër fazat e zakonshme, sikurse tjerat”, tha Kurti në shkurt të vitit 2022.
Por, Kryeministri i referohet peshës institucionale të së njëjtës gjykatë kur fjala vjen te Marrëveshja e Asociacionit, duke pranuar gjykimin e saj për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, ashtu siç nuk e pranon vendimin për kthimin e pronave ndaj manastirit serb në Deçan.
Për të njëjtën çështje, Bashkimi Europian ka bërë thirrje dhe vërejtje të vazhdueshme zyrtare. Së fundmi, në maj të vitit që shkoi, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog përsëriti të njëjtin mesazh.
“Kanë kaluar gjashtë vjet nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe gati dhjetë vjet nga aktvendimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, përmes të cilëve konfirmohet pronësia e Manastirit mbi disa hektarë të kontestuar të tokës në komunën e Deçanit”, tha Szunyog.
Por Bashkimi Europian nuk ndan të njëjtën vendosmëri kur fjala vjen te gjykimi i kushtetueses për Asociacionin – çështje tërësisht e ndryshme nga hektarët e manastirit, por që mban vulën e së njëjtës gjykatë. Ndonëse BE-ja nuk mban standarde të dyfishta në këtë rast, dyzimi është i dukshëm.
Ndërsa Beogradi nuk e njeh Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Duke folur mbi gjykimin e këtij institucioni mbi Marrëveshjen për Asociacionin, presidenti Vuçiç tha: “Pse na intereson çfarë shkruhet në kushtetutën e tyre, të cilën ne nuk e njohim?”
Por kur Kurti emëroi si Ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi, e denoncoi emërimin duke thënë se do ta ankimonte në Gjykatën e Kushtetuese të Kosovës, e cila “duhet të konfirmojë pa vonesë se kjo është shkelje e kushtetutës...”
Udhëkryqi i Albin Kurtit
Historia e bllokimit kushtetues fillon në tetor të vitit 2015, kur Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje. Arsyeja se përse Presidentja ndërmori këtë hap, ishte dalja nga kriza politike dhe zhbllokimi i punës së Kuvendit. Opozita e kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshtonte me forcë disa prej marrëveshjeve të Brukselit, kishte pamundësuar aktivitetin parlamentar në vend.
Asociacioni, i etiketuar me konotacion përkeqësues nga Vetëvendosje, me termin serbisht “Zajednica”, qëndronte në qendër të këtyre kundërshtive, që u materializuan deri në hedhjen e vazhdueshme të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.
Albin Kurti, i cili në opozitë arriti ta frenojë të paktën përkohësisht zbatimin e marrëveshjes, sot drejton qeverinë e Kosovës. Drejt presionit për një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme me Serbinë, ku krijimi i Asociacionit mbetet kusht i pandarë, atij do t’i duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë, dhe për të cilën ende nuk janë artikuluar zgjidhje konkrete. (A2 Televizion)