3 net në qeli, Dani Alves transferohet në një tjetër burg për arsye sigurie

Publikuar më: 23/1/2023, ora 17:48
alves

3 net në qeli, Dani Alves transferohet në një tjetër burg për arsye sigurie

Publikuar më: 23/1/2023, ora 17:48

Dani Alves, i cili ndodhet në paraburgim pasi akuzohet për përdhunimin e një vajze të re në një diskotekë të Barcelonës, do të transferohet në një tjetër burg.

Sipas “La Vanguardia”, futbollisti brazilian do të zhvendoset nga qelia ku ka fjetur 3 netët e fundit për arsye sigurie.

Në burgun e ri, ish-futbollisti i Barcelonës do të ketë qeli më vete dhe dush më vete.

Të dielën dolën në dritë detaje të tjera mbi ngjarjen e 30 dhjetorit. Sipas “El Periodico”, Alves dhe e reja kanë qëndruar në tualetin e diskotekës për rreth 15 minuta. Në këtë përfundim kanë dalë hetuesit, të cilët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë së diskotekës. Sipas versionit të denoncueses, që e ka publikuar “El Periodico”, Alves e ka detyruar “që t’i ulet në prehër, më pas e ka përplasur në tokë, e ka goditur me shuplakë, e ka ngritur dhe ka kryer me të marrëdhënie seksuale”.

Atë mbrëmje, vajza ka përfunduar në spital, ku i janë bërë edhe ekzaminimet përkatëse për të gjetur mbetje biologjike.

Ndërkohë, ish-futbollisti i Barcelonës dhe pjesë e Kombëtares së Brazilit në Botërorin e Katarit, ka deklaruar në gjykatë se ka qenë në diskotekë, por ka qëndruar fare pak aty, duke mohuar agresionin seksual për të cilin akuzohet. Gjithashtu, ka dhënë 3 versione të ndryshme. Në fillim tha se nuk e njihte vajzën; më pas tha se e kishte parë, por me të nuk kishte ndodhur gjë; ndërsa në fund deklaroi se ishte vajza ajo që iu hodh përsipër.

Nga ana tjetër, sipas “El Pais”, vajza nuk kërkon dëmshpërblim nga Dani Alves, por kërkon vetëm që futbollisti të paguajë me burg.