U arratis në Norvegji 10 ditë më parë, arrestohet ish-komandanti i Wagner

Publikuar më: 23/1/2023, ora 17:23
vagner 2 1280x720

U arratis në Norvegji 10 ditë më parë, arrestohet ish-komandanti i Wagner

Publikuar më: 23/1/2023, ora 17:23

Ish-komandanti i grupit mercenar rus Wagner Andrei Medvedev, i cili u arratis në Norvegji 10 ditë më parë, u arrestua nga policia norvegjeze në bazë të ligjit të imigracionit. Arsyet e sakta të arrestimit nuk janë specifikuar, por avokati i tij tha se kjo ishte për shkak të “shkeljeve të rregulloreve të sigurisë” që e rrethonin.

26-vjeçari Medvedev, kishte kaluar kufirin ruso-norvegjez natën midis 12 dhe 13 janarit duke kërkuar azil në vendin skandinav. Ai deklaroi se ishte gati të fliste për përvojën e tij në grupin Ëagner me njerëzit që hetonin krimet e luftës. Një dëshmitar potencialisht i vlefshëm për të hedhur dritë mbi brutalitetin e grupit paraushtarak në Ukrainë, Medvedev është vënë nën hetim nga autoritetet norvegjeze që nga mbërritja e tij në Norvegji. Vendndodhja e tij mbahet e fshehtë dhe është në nën mbikëqyrjen speciale.

“Ai u arrestua sipas ligjit të imigracionit dhe po shqyrtohet mundësia e internimit”, tha Jon Andreas Johansen, oficeri i policisë përgjegjës për çështjet e imigracionit, për AFP në një email.

Policia nuk pranoi të specifikojë arsyet e sakta të arrestimit të tij, apo të japë komente të mëtejshme. Avokati i tij, Brynjulf ​​Risnes, tha se Medvedev u arrestua sepse ai refuzoi të respektonte të gjitha rregullat e sigurisë që i ishin vendosur.

“Natyrisht që janë marrë shumë masa sigurie dhe e ka të vështirë t’i respektojë. Nuk akuzohet për asgjë”, shtoi avokati.

Mbeten shumë pikëpyetje për figurën e Andrei Medvedev, për të kaluarën e tij dhe rrethanat e arratisjes së tij. Shumë ekspertë besojnë se ish-mercenari nuk mund ta ketë kaluar kufirin pa ndihmë, ndërkohë që ai vetë pretendon se e ka kaluar në këmbë lumin Pasvik, lumin e ngrirë në kufirin mes Rusisë dhe Norvegjisë, pasi ishte ndjekur nga rojet ruse me qen.

Skuadra e krimit e policisë norvegjeze (Kripos), e cila merr pjesë në hetimin ndërkombëtar për krimet e luftës në Ukrainë, filloi ta merrte në pyetje të shtunën dhe deklaroi se ka bashkëpunuar.

Medvedev tha se luftoi në Ukrainë për Wagnerin për katër muaj përpara se të dezertonte në nëntor, kur organizata paraushtarake e udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin dyshohet se ia zgjati kontratën kundër vullnetit të tij.

Nga ana tjetër, drejtorja e fondacionit bamirës Sitting Russia Olga Romanova tha se grupi Wagner kishte humbur rreth 40,000 të burgosur të rekrutuar më parë në luftën në Ukrainë. Në një intervistë televizive, Romanova tha se braktisja masive e të burgosurve nga “Wagner” filloi në vjeshtë dhe shumë u larguan nga fronti në Rusi, duke marrë armët me vete.