Burri tregon se si i mbijetoi sulmit të ariut që i masakroi fytyrën

Publikuar më: 24/1/2023, ora 16:52

Burri tregon se si i mbijetoi sulmit të ariut që i masakroi fytyrën

Publikuar më: 24/1/2023, ora 16:52

Një burrë amerikan tregoi se si i mbijetoi sulmit të një ariu. 65-vjeçari Wes Perkins, nga Alaska, kishte dalë për gjueti me një shokun e tij, në vitin 2011, kur ndodhi ngjarja e tmerrshme.

“Humba gjuhën, nofullën dhe pothuajse të gjithë dhëmbët. U mundova të mbaja rrugët e frymëmarrjes të lira, hiqja çdo gjë që mund t’i zinte ato. I thoja vetes që të mos mbyllja sytë dhe të mos humbja ndjenjat. Ky ishte fokusi im i vetëm pas sulmit”, tregon Perkins për “Newsweek”.

Ish-shefi i zjarrfikësve të zonës kujton se ariun e murrmë po e ndiqte nga larg, por kafsha i humbi nga sytë. Papritur, ariu u shfaq shumë pranë tij dhe iu vërsul.

“Kisha kohë të thoja vetëm “Dreq”, vetëm sa e kapa çiften, nuk arrita të qëlloja me të. Ishte shoku im ai që e qëlloi shumë herë, derisa ariu ngordhi. Fytyrën e mbajta në borë, që të mpihej. Shumë shpejt, erdhi helikopteri që më dërgoi në spital”, kujton 65-vjeçari.

Perkins kaloi 4 muaj në spital, duke iu nënshtruar shumë operacioneve. Atij iu vendosën pllaka titani në të dyja mollëzat dhe iu rindërtua nofulla. Për muaj me radhë, ai nuk arrinte dot të fliste dhe komunikonte vetëm me të shkruar.

Sot, fatmirësisht ai është rekuperuar thuajse plotësisht dhe thotë se vazhdon të dalë për gjueti.