Mandati i Xhaçkës, Braho: Mazhoranca ndikim te Kuvendi, jo te Kushtetuesja, analistët: Do të përshkallëzohet konflikti në PD

Publikuar më: 24/1/2023, ora 20:49

Mandati i Xhaçkës, Braho: Mazhoranca ndikim te Kuvendi, jo te Kushtetuesja, analistët: Do të përshkallëzohet konflikti në PD

Publikuar më: 24/1/2023, ora 20:49

Mazhoranca ka pasur ndikimin e saj në vendimmarrjen e Kuvendit, por jo në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese sa i përket dy kërkesave të Partisë Demokratike në lidhje me mandatin e ministres së jashtme Olta Xhaçka. Kështu u shpreh juristi Ledio Braho në studion e Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN. Sipas tij vendimi i djeshëm i Kushtetueses ishte e vetmja alternativë.

“Ajo që shoh unë, mazhoranca ka pasur ndikimin e saj në vendimmarrjen e Kuvendit, por jo në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Pra janë praktika të ndjekura më parë. E vetmja gjë që shoh është që mazhoranca ka një ndikim në vendimmarrjen e kuvendit. Kjo ishte e vetmja alternativë zgjidhjeje. Gjykata Kushtetuese ka respektuar jurisprudencën e saj të mëparshme që kuvendi apo Këshilli i Mandateve të gjykojë papajtueshmërinë e mandateve dhe më tej duhet të jetë kuvendi t’ia dërgojë për vlerësim. Kuvendi duhet të marrë vendim sërish dhe kuvendi t’ia dërgojë sërish Gjykatës Kushtetuese”, tha Braho.

Për politologu Ilir Kalemaj, të dyja palët në PD po mundohen ta kapitalizojnë politikisht këtë vendimmarrje të Kushtetueses. Sipas tij është një përplasje politike që përshkallëzon konfliktin në PD dhe nuk i shërben opozitës.

“Retorikë politike të dyja palët po mundohen ta kapitalizojnë politikisht në raport me njëra-tjetrën sesa me mazhorancën, krahas betejës ligjore për vulën e partisë kush fiton nga palët. Shihet si kapitalizëm politik sesa i shërben opozitës dhe interesit politik. Kemi përplasje retorike që e përshkallëzon konfliktin në grupin parlamentar, konflikt që nuk është kaq i përshkallëzuar në bazë. për një çështje të tille nuk kishim pse të vinim me dy çështje të ndryshme në kushtetuese. Këshilli i Mandateve do ta shqyrtojë dhe çojë në kushtetuese”.

Të njëjtin mendim ndau edhe analisti Aleksandër Çipa, sipas të cilit secili prej grupeve kërkon që të identifikohet dhe kapitalizojë çështjet që shkaktojnë ndjeshmëri tek elektorati.

“Irracionaliteti ndaj çështjes e bën atë evident dhe jo proces funksional. Anëtarësia dhe masa e gjerë janë në një shqyrtim duke i kritikuar palët pse operojnë në mënyrë të ndarë. Druaj se në ecurinë e mëtejshme të këtij procesi aq më tepër që do të duhet një kohë e gjatë minimalisht 6 muaj, në gjykimin tim kjo do të dojë më shumë se një vit kohë. Do të kemi një sherrnajë tradicionale midis palës që ngre një pretendim dhe akuzë dhe palës tjetër që është në pozitën e të akuzuarës por kërkon argumente e justifikime. Do të kemi një përplasje të njohur”.