Ndeshjet e mesjavës në Kategorinë Superiore

Publikuar më: 24/1/2023, ora 16:11
josa 1280x720

Ndeshjet e mesjavës në Kategorinë Superiore

Publikuar më: 24/1/2023, ora 16:11

Një javë më parë, Vllaznia fitoi me Bylisin në Kupë dhe hipotekoi kualifikimin në çerekfinale. Tashmë, shkodranët do të luajnë sërish në Ballsh, me synimin të mbeten në garën për titull.

Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, u shpreh: “Mendoj se është një ndeshje e njëjtë, duke pasur parasysh impenjimin tonë dhe atë të Bylisit si skuadër. Është një ndeshje e vështirë. Bylisi është një skuadër që ka luajtur mirë futboll. Është një skuadër që shprehet që në fillim të kampionatit mirë. Pati disa rezultate të dobëta dhe problemet e veta, por nuk do të thotë asgjë. Çdo ndeshje duhet vlerësuar në bazë të objektivave që kemi”.

Fitorja do të bënte që Vllaznia të barazonte përkohësisht me pikë Tiranën kryesuese, por trajneri Josa kërkon të largojë presionin nga ekipi: “Unë i rezervuar kam qenë edhe kur skuadrën e dytë e kam pasur 12 pikë mbrapa. Kështu do të vazhdoj të jem. Më intereson që skuadra të përmirësojë gabimet, sepse nuk ka ndeshje pa gabime. Fundja kampion do dalë vetëm një skuadër. Problemi është që ne të kapim objektivat që kemi”.

Këtë të mërkurë luhet edhe Laçi-Kastrioti, teksa java e 18 e Superiores vijon me tre ndeshjet e të enjtes, ku spikasin Partizani-Teuta dhe Erzeni-Tirana.