Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Parku i Vjosës, ekspertët dorëzojnë studimin e fizibilitetit, faza e parë në pranverë

Nga A2 CNN
24 Janar 2023, 23:46 | Aktualitet
Parku i Vjosës, ekspertët dorëzojnë studimin e

Ekipi i ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që punojnë për krijimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, i ka paraqitur qeverisë shqiptare studimin e fizibilitetit të projektit që synon mbrojtjen e një nga lumenjtë e fundit të egër të kontinentit.

Studimi i fizibilitetit është rezultat i gjashtë muajve punë intensive në terren dhe analizave të thelluara që ka bërë një ekip prej më shumë se 30 ekspertësh në fusha të ndryshme, të tilla si: eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare, legjislacioni dhe vlerësimi i ndikimit në shoqëri dhe mjedis.

Pas prezantimit të tij po vijohet, për një periudhë njëmujore, me konsultime me publikun, ndërkohë që Faza I e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa pritet të shpallet në pranverën e vitit 2023.

Propozimi teknik është i ndarë në dy faza ku fillimisht përfshihen kanali aktiv i lumit, si dhe disa terrene të rrezikuara nga përmbytjet ose erozioni, me gjatësi mbi 400 kilometra, dhe në një moment të dytë do të shtohen territoret që përmbyten çdo 30 deri në 50 vjet, si dhe disa toka private, pas konsultimit me palët e përfshira.

Lumi Vjosa në Shqipëri është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj të egër në Evropë. Lumi dhe degët e tij rrjedhin lirisht nga malet e Greqisë deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri.

Në qershor 2022, Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Drejtori Ekzekutiv i kompanisë amerikane Patagonia, Ryan Gellert nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në të cilin deklarohet se Qeveria Shqiptare dhe Patagonia do të punojnë së bashku për ngritjen e nivelit të mbrojtjes së pellgut dhe ekosistemit lumor të Lumit Vjosa dhe degëve të tij me rrjedhje të lirë, me perfshirjen e organizatave si “Save the Blue Heart of Europe”, përfshirë EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani