Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Vota (e munguar) e emigrantëve. KQZ shmang përgjegjësinë, bën sikur i dërgon rekomandime Kuvendit

Nga A2 CNN
24 Janar 2023, 14:19 | Politikë
Vota (e munguar) e emigrantëve. KQZ shmang përgjegjësinë,

E drejta e emigrantëve shqiptar për të votuar nga jashtë vendit është tashmë e garantuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, por kur institucionet duhet të nisin punën për realizimin e saj, duket se ka filluar ping-pongu i përgjegjësive. Në një komunikatë për shtyp, KQZ njoftoi se i kishte dërguar Kuvendit disa rekomandime për plotësimin e boshllëkut ligjor të konstatuar nga Kushtetuesja, por përmbajtja e shkresës ishte vetëm një rikujtesë se përgjegjësinë e kanë deputetët.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se i ka dërguar Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore disa rekomandime për ndryshime në Kodin Zgjedhor, sa i përket votës së emigrantëve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje. Por, dokumenti që u protokollua në Kuvendin e Shqipërisë, nuk përmbante asnjë rekomandim dhe ngjante më shumë me një “rikujtesë”, si për t’i thënë parlamentarëve se ky institucion ka detyrimin për të plotësuar vakumin në Kodin Zgjedhor në respekt të vendimit kushtetues

“Sikundërse mund të kuptohet edhe nga urdhërimi i Gjykatës Kushtetuese plotësimi i boshllëkut ligjor në lidhje me votën nga jashtë, sa më shpejt të jetë e mundur, krijon kushtet objektive për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e akteve përkatëse nënligjore si dhe përgatitjen e kushteve për realizimin e votimit nga jashtë për zgjedhjet e radhës për Kuvendin”, lexohet në njoftim.  

Gjykata Kushtetuese në fundin e vitit 2022 urdhëroi Kuvendin e Shqipërisë që të plotësojë Kodin Zgjedhor në mënyrë që vota e emigrantëve të bëhet e zbatueshme për zgjedhjet parlamentare 2025, duke i lënë barrën e përgjegjësisë deputetëve që të përmbushin reformën elektorale të vitit 2020.

Pa faj, Gjykata nuk la as KQZ që në 1 vit punë, nuk arriti të miratonte asnjë akt nënligjor. Si për për të larguar përgjegjësitë nga vetja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se i ka dërguar rekomandime Kuvendit përmes një shkrese ku i vetmi rekomandim është vullneti i mirë për të bashkëpunuar: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmon gatishmërinë për të dhënë çdo kontribut që do të kërkohet nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore apo Kuvendi i Republikës së Shqipërisë lidhur me çështje të natyrës rregullatorë dhe teknike sa i takon realizimit të votimit nga jashtë”. 

Pavarësisht fjalëve të mira, kjo gatishmëri e Komisionerit Celibashit mbetet ende deklarative, pasi KQZ vijon të mos ketë asnjë vendim sa i përket votimit nga jashtë Shqipërisë. Pa produktivitet është edhe Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, që në një vit veprimtari nuk ka prodhuar asnjë akt, por mund të justifikojë ekzistencën duke iu përgjigjur KQZ-së me një shkresë rekomandimesh pa rekomandime.  

https://a2news.com/2023/01/11/vota-e-emigranteve-kushtetuesja-zbardh-vendimin-kodi-zgjedhor-iluziv-e-i-pazbatueshem/
https://a2news.com/2022/12/16/vota-e-emigranteve-kush-e-shkeli-kushtetuten-celibashi-nuk-e-ka-fajin-kqz-ka-boshllek-ligjor/

A2 CNN Livestream

Dita jonë