Zbulohen dokumente sekrete në shtëpinë e zv.presidentit Mike Pence

Publikuar më: 24/1/2023, ora 22:00
mike pence

Zbulohen dokumente sekrete në shtëpinë e zv.presidentit Mike Pence

Publikuar më: 24/1/2023, ora 22:00

Dokumente që përmbajnë shenja si të klasifikuara u gjetën javën e kaluar në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit Mike Pence në Indiana. Kjo raportohet nga mediat amerikane sipas një letre që avokatët e zotit Pence i dërguan Arkivave Kombëtare. Departamenti i Drejtësisë dhe FBI kanë nisur një hetim për të konstatuar se si letrat e shënuara si ‘të klasifikuara’ përfunduan në shtëpinë Pence. Kjo është gjetja e fundit në një varg zbulimesh në rezidenca private të dokumeteve sekrete.

“Duket të jenë një numër i vogël dokumentash, që mbajnë shenjat si të klasifikuara, që janë paketuar dhe transportuar pa dashje në shtëpinë private të ish-zëvendëspresidentit në fund të mandatit”, shkruante avokati i zotit Pence, Greg Jacob.

Sipas tij, zoti Pence “angazhoi një avokat të jashtëm, me përvojë në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara, për të shqyrtuar të dhënat e ruajtura në shtëpinë e tij pasi u bë publike se ishin gjetur dokumente sekrete në shtëpinë private të Presidentit Joe Biden në Ëilmington”.

Avokati i zotit Pence shprehej në letër se ish-zëvendëspresidenti “nuk ishte në dijeni të ekzistencës së dokumenteve sensitive apo të klasifikuara në shtëpinë e tij” dhe se “e kupton rëndësinë e madhe për mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe të klasifikuara dhe se është i gatshëm për të bashkëpunuar plotësisht me Arkivat Kombëtare dhe çdo hetim të nevojshëm”.

Avokati tha se zoti Pence i siguroi menjëherë dokumentet që u zbuluan në një kasafortë. Sipas një letre të dytë nga avokati, që mban datën 22 janar, agjentët e FBI-së vizituan rezidencën e zotit Pence për të marrë dokumentet.

Departamenti i Drejtësisë tashmë ka angazhuar prokurorë të posaçëm për të hetuar gjetjen e dokumenteve sekrete në rezidencën e ish-Presidentit Donald Trump në Florida dhe në shtëpinë dhe ish-zyrën e Presidentit Biden.