Osmani nuk kursehet ndaj Vuçiçit: Një “Drama Queen”, piroman dhe zjarrfikës

Publikuar më: 25/1/2023, ora 13:29

Osmani nuk kursehet ndaj Vuçiçit: Një “Drama Queen”, piroman dhe zjarrfikës

Publikuar më: 25/1/2023, ora 13:29

“Serbia kërcënon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor duke bashkëpunuar me njerëz që kanë lidhje me grupin e mercenarëve rusë, Wagner”. Akuza vjen nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një interviste për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, ndërsa shton se tashmë Beogradi po luan duke ndjekur skemën imperialiste të Putinit dhe duke menduar se mund të pushtojë territore të vendeve fqinje. Kryetarja e shtetit nënvizoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është përgjegjësi kryesor për krizat e shpeshta në Veri të vendit, pasi atje financon dhe armatos mafian ballkanike, me pjesëtarë të shumtë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

“Rusia dëshiron të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor për ta shpërqendruar nga Ukraina. Për këtë, Serbia kërcënon sigurinë duke përdorur forca që bashkëpunojnë me grupin Wagner, blerë armë ruse, dërguar paramilitarë në Veri të Kosovës dhe vendosur barrikada për të krijuar tensione”, tha Osmani.

Ajo konfirmoi se Kosova po punon ngushtë me aleatët perëndimorë, në mënyrë që paramilitarët e lidhur me Wagner të dështojnë në planet e tyre destabilizuese. Presidentja i rikthehet sërish homologut serb, duke thënë se Vuçiç po luan rolin e një “Drama Queen”, i cili i bën të dyja si piromanin ashtu edhe zjarrfikësin, që në fund të fjalë për paqen. Ndër të tjera, Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për një marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë, kundërshtoi krahasimin e Putinit për atë që po bën në Ukrainë me ndërhyrjen e NATO-s kundër luftës mizore të Millosheviçit në Kosovë, si dhe konfirmon se të drejtat e minoritetit serb janë të garantuar me kushtetutë, madje më mirë se çdo shtet tjetër në Europë.