Arrestimi i zyrtarit të FBI, PD kërkon mocion me debat me kryeministrin

Publikuar më: 26/1/2023, ora 09:44
KR KUVENDI MBYLL PUSHIMET PS GATI TE BASHKOJE VOTAT ME ALIBEAJN PER DEKOMUNISTIZIMIN frame 639 1 1280x720

Arrestimi i zyrtarit të FBI, PD kërkon mocion me debat me kryeministrin

Publikuar më: 26/1/2023, ora 09:44

Arrestimi i zyrtarit të lartë të FBI,  Charles McGonigal dhe dyshimet për kontakte të papërshtatshme me shtetas të huaj, ku përfshihet dhe Kryeministri Edi Rama, ka bërë që Partia Demokratike të kërkojë një ndryshim të rendit të ditës në seancën plenare të Kuvendit këtë të enjte.

Në letrën dërguar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, deputetët e opozitës shkruajnë se lidhur me ndjeshmërinë që ka kjo situatë kërkojnë mocion me debat me kreun e qeverisë, i cili nuk e ka mohuar asnjëherë të ketë pasur takime me zyrtarin e FBI.

Charles McGonigal është vënë nën akuzë për shkelje të sanksioneve ndaj oligarkut rus Oleg Deripaska, me lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin, si dhe për fshehje, manipulim dhe falsifikim të të dhënave për kontakte të papërshtatshme me shtetas të huaj, ku përfshihet Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe dy bashkëpunëtorë të tij që nuk mbajnë poste zyrtare.

“Duke patur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të këtij skandali të paprecedentë, ku Kryeministri shqiptar përfshihet si subjekt hetimi dhe akuzash për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar, minimin e besimit të publikut ndaj institucioneve të shtetit shqiptar dhe cënimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruhet mes të tjerash në kërkesën e deputëve të PD.