Refuzon t’u japë xhupin, 15-vjeçari shtyhet në shinat e trenit nga grabitësit minorenë

Publikuar më: 26/1/2023, ora 09:14
shina treni

Refuzon t’u japë xhupin, 15-vjeçari shtyhet në shinat e trenit nga grabitësit minorenë

Publikuar më: 26/1/2023, ora 09:14

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në stacionin hekurudhor të Seregno në Monza, ku një djalë 15-vjeçar i ka shpëtuar vdekjes për mrekulli, teksa u shty nga dy bashkëmoshatarë të tij në shinat e trenit.

E gjithë kjo ndodhi pasi djali refuzoi t’i jepte xhupin, që dy të miturit e tjerë donin t’ia merrnin me forcë në tentativë grabitjeje.

I riu mbeti i plagosur dhe tashmë ndodhet i shtruar në spital, por fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime të rënda, pasi ka rënë në hapësirën mes shinës dhe rrotave të trenit.

I mituri po priste trenin në shoqërinë e një miku të tij kur u rrethua. Pasi nuk pranoi të dorëzonte xhupin e tij të një marke të njohur, ai u sulmua nga grupi i të miturve hajdutë.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet përkatëse, ndërsa ka bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e dy të miturve përgjegjës, të cilët akuzohen për “tentativë vrasje” dhe “tentativë grabitjeje”.