PD kërkon Ramën, “McGonigal”, PS miraton ligjet pa debat dhe mbyll seancën
Kryeministri Edi Rama mungoi sërish në seancë plenare duke shmangur për të dytën herë përballjen me opozitën për takimet e tij me ish zyrtarin e FBI, McGonigal.
As Sali Berisha nuk ishte në sallë, pas përjashtimit javën e kaluar, por demokratët ndoqën të njëjtën strategji duke bllokuar foltoren, me insistimin për të zhvilluar mocion me debat.
Qëndrim nuk ndryshuan as socialistët, duke mos lejuar, me forcën e kartonëve, që opozita të diskutonte mbi përfshirjen e Ramës në këtë çështje dhe takimet e tij me ish-zyrtarin e FBI që po përballet me drejtësinë amerikane.
Dy grupimet në PD u shfaqën të sintonizuara në qëndrime. Në mungesë të Ramës, Gazment Bardhi nuk pranoi që interpelancën e kërkuar me Kryeministrin, ta zhvillonte me ministren Spiropali.
Një tentativë e Bardhit për të penguar ministrat që të vijonin me rendin e ditës i kushtoi demokratit përjashtimin nga seanca.
Opozita u përpoq me forma të ndryshme të bllokonte seancën.
Kur ishte e qartë se diskutimet për rendin e ditës ishte e pamundur të zhvilloheshin në kushte normale, socialistët kaluan direkt në votim.