Gjykata kushtetuese do të vijojë të drejtohet nga një zonjë. Në mbyllje të afatit, Marjana Semini, Fiona Papajorgji dhe Holta Zaçaj shprehën interesin për të qenë në krye të kupolës së drejtësisë shqiptare. Detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për gati pesë vite e mbajti Vitore Tusha, e cila rezultoi e vetmja anëtare nga trupa e vjetër që kaloi filtrin e vettingut të gjyqtarëve. Pas zëvendësimit të saj, detyrën përkohësisht po e mban Marsida Xhaferllari, si anëtarja më e vjetër në Gjykatë sa i përket ushtrimit të mandatit, ndërsa tranzicioni final do të jetë sërish drejt një zonje.
Sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme
Tre kandidaturat që aspirojnë postin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese kanë një profil sa të ndryshëm aq edhe të ngjashëm. Pika e përbashkët e tyre është që janë lektore pranë Shkollës së Magjistraturës, ndërsa përfshirja në sistemin e drejtësisë është i ndryshëm. Marjana Semini ka qenë pjesë e ekspertëve të lartë në hartimin e ndryshimeve Kushtetuese për reformën në drejtësi.

Fiona Papajorgji ka një karrierë më të gjatë pranë Gjykatës Kushtetuese, jo si anëtare por si këshilltare ligjore. Ajo është anëtarja e dytë më e vjetër në detyrë në këtë Gjykatë e cila në nëntorin e vitit 2019 mori detyrën zyrtarisht. Dekretimi i saj nga ana e Presidentit të atëhershëm erdhi pas një konflikti që u krijua ndërmjet institucionit të parlamentit dhe kreut të shtetit sa i takonte listës që kishte përcjell Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Konflikt mbeti vetëm verbal dhe jo ligjor pasi nuk gjeti zgjidhje nga institucionet e drejtësisë dhe akuzat mbetën në ajër. Pavarësisht konfliktit, Fiona Papajorgji së bashku me Marsida Xhaferllarin dhe Elsa Toksën u bënë tre gjyqtaret e reja kushtetuese pas miratimit të reformës në drejtësi.

Holta Zaçaj është anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese e cila zëvendësoi Vitore Tushën, kryetare të gjykatës deri para pak javësh. Vitore Tusha qëndroi në detyrë gati pesë vite përtej mandatit kushtetues dhe për dy vite ishte e vetmja anëtare e “mbijetuar” nga vettingu në drejtësi, njëkohësisht personi që mbajti hapur derën e institucionit.

Sërish një grua në krye të gjykatës
Në përbërje të saj Gjykata Kushtetuese ka 6 zonja dhe tre burra. Pas largimit të Vitore Tushës, gjyqtarët hapën procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate. Ajo që ra në sy është fakti që asnjë prej anëtarëve, Gent Ibrahimi, Sandër Beci dhe Ilir Toska nuk aspiruan kandidimin çka praktikisht do të thotë se në krye të kësaj trupe do të jetë sërish në grua. Pas seancave dëgjimore të planifikuara në 15 shkurt, nëntë anëtarët kushtetuese do të zgjedhin me votë kryetaren e re të kësaj gjykate e cila ndonëse është e barabarta ndërmjet të barabartëve, pasi çdo anëtar ka pavarësinë e tij në ushtrimin e mandatit, ajo do të jetë imazhi që do të përfaqësoj këtë institucion.
Gjykata që zgjidh konfliktet politike
Në vitet që kjo Gjykatë pushoi së funksionuar pasi nuk kishte kuorum vendimmarrjeje, politika e Tiranës ishte polarizuar në ekstreme. Opozita e atëhershme dogji mandatet parlamentare dhe bojkotoi zgjedhjet ndërsa ish-Presidenti i Republikës firmosi dekretin për anulimin e vendoreve 2019. Ky akt nuk u mor në konsideratë nga mazhoranca dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili praktikisht mori nën kontroll të gjithë pushtetin vendor. Menjëherë pas zgjedhjeve, ky proces u ankimua, por nuk merrte dot përgjigje pasi nuk kishte gjyqtarët për ta gjykuar. Krahas zgjedhjeve vendore, në arkivin e kësaj gjykate flinin edhe padi të tjera si ajo e Teatrit Kombëtar, apo ndryshimet në Kodin Zgjedhor apo edhe vendimi i parlamentit për shkarkimin e ish-Presidentit Ilir Meta. Me rikthimin e funksionalitetit dhe kuorumit vendimmarrës në janarin e vitit 2021, Kushtetuesja mori në shqyrtim konfliktet e mbartura politike dhe çdo vendimmarrje kishte gjithmonë komentin e saj politik. Por në finale, vendimet e kësaj Gjykate janë pranuar nga të gjitha palët. (A2 Televizion)