Mbrojtja kibernetike, SHBA-BE ndihmë Shqipërisë. Qeveria mendon ndryshime ligjore

Publikuar më: 7/2/2023, ora 16:39

Mbrojtja kibernetike, SHBA-BE ndihmë Shqipërisë. Qeveria mendon ndryshime ligjore

Publikuar më: 7/2/2023, ora 16:39

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga autoritetet shqiptare që të mos e ulin mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike, pasi, sipas ambasadores amerikane në Tiranë, këto agresione nuk do të ndalen.

Yuri Kim gjatë një paneli me ministrat e qeverisë Rama, por në mungesë të kryeministrit, tregoi që SHBA do të vijojë të ndihmojë Shqipërinë për forcimin e infrastrukturës digjitale: “SHBA dhe Shqipëria po zbatojnë një nga përpjekjet tonë më të mëdha të ndihmës kibernetike që arrin në 50 milionë dollarë në mbështetje të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë. Dhe ky është vetëm fillimi. Duhet të pranojmë që sulmet nga aktorë keqadashës si Irani dhe të tjerë do të vijojnë të jenë një kërcënim i vazhdueshëm. Ata nuk do të zhduken sepse nuk ka një plumb magjik për ta zgjidhur këtë problem”. 

Edhe Bashkimi Europian do të japë asistencën e vet me ekspertë dhe ndihmë monetare: “Nuk duam të japim zgjidhje të momentit, por duhet zgjidhje afatgjatë, sepse kjo është një detyrë afatgjatë për të gjithë ne. Përkrahja jonë për digjitalizimin që përfshin edhe mbrojtjen kibernetike do të aarijë deri në 15 milionë euro. Në këtë nismë duhet futur edhe sektori privat sepse kufiri nuk shkon vetëm tek shërbimet qeveritare, por këto sulme mund të ndodhin vazhdimisht në çdo nivel të mundshëm”. 

Në mungesë të kryeministrit, numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, pasi tregoi vështirësitë që hasi shteti shqiptar ndaj sulmeve që vinin nga shteti i Iranit, u shpreh që qeveria po përgatit edhe ndryshime ligjore për mbrojtjen kibernetike.

Pavarësisht se “hacker”-at iranianë kanë publikuar të dhëna të qytetarëve pas sulmit ndaj sistemeve publike digjitale, ministrat pretendojnë se agresioni kibernetik nuk e arriti qëllimin e tij, në rast të kundërt dëmet do të ishin shumë të mëdha.