Paga minimale 40 000 lekë. Rama: Nis zbatimi së shpejti, brenda dy viteve shkon 45 000 lekë
Paga minimale 40 000 lekë. Rama: Nis zbatimi së shpejti, brenda dy viteve shkon 45 000 lekë
Dy ditë para protestës së opozitës dhe pak javë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, qeveria lajmëroi që së shpejti do të rrisë pagën minimale. Këtë lajm, kryeministri Edi Rama vendosi që ta ndajë me publikun gjatë takimit me disa të rinj përfitues të bursave të studimit, ku njoftoi një tjetër rritje gjatë 2 viteve të ardhshme.
“Brenda pak javësh paga minimale do të shkojë në 40 000 lekë, ndërsa në 2 vitet e ardhshme paga do të shkojë në 45 000 lekë”, tha Rama.
Të gjithë studentët që kanë një bursë studimi sa paga minimale do të përfitojnë nga kjo rritje, por janë të kushtëzuar të mos largohen nga vendi me mbarimin e studimeve: “Të gjithë ata që përfitojnë nga bursa, të paktën 3 vitet e para nuk do të largohen jashtë vendit”.
Kryeministri përballë studentëve e pranoi vështirësinë nga emigracioni i të rinjve, por nënvizoi se vendimi për të qëndruar në Shqipëri apo jo është një e drejtë e çdo njeriu.
“Unë nuk i gjykoj keq ata që zgjedhin ndryshe, edhe unë zgjodha të jem emigrant”, tha kreu i qeverisë.