Gati të shpërthejë “bomba” në Premier League, të gjithë pro dënimit shembullor ndaj Manchester City-t

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2023, 13:27 | Futboll
Gati të shpërthejë “bomba” në Premier League,

Çështja e Manchester City rrezikon të tronditë PremierLeague angleze. Sitizens akuzohen se kanë bërë lëvizje të dyshimta në bilancet financiare, duke thyer mbi 100 rregulla. Drejtuesit e kampionatit më të fortë në botë dhe përfaqësuesit e 20 klubeve u mblodhën për të diskutuar të ardhmen.

Të gjitha ekipet angleze janë të pakënaqura me mënyrën si ka vepruar Manchester City. Mes kërkesave të propozuara nga 19 klubet elitare në Angli, kërkohen ndëshkime shembullore. Të gjithë duan që Manchester City të përjashtohet nga kampionati dhe të zbresë nga kategoria.

Të gjitha skuadrat elitare janë në unison kundër sitizëns. Nëse operacionet e parregullta financiare do të konfirmohen, nuk është e thënë që dënimi me largim nga elita të kufizohet vetëm me zbritjen në Championship, si njihet ndryshe kategoria e dytë. Dënimi i kërkuar është që blutë e Manchesterit praktikisht të shpërbëhen dhe të luajnë në ligat më të ulëta angleze.

Çështja është delikate dhe lidhet me besueshmërinë e Premier League, që jo vetëm është kampionati numër një në botë, por në opinionin publik cilësohet edhe si më i pastri. Për këtë arsye, klubet elitare kërkojnë që ndëshkimi për shkeljet e bëra të jetë shembullor. 19 skuadrat e pozicionuara kundër Manchester City janë gati që betejën ta vijojnë në çdo pikë të akuzës, edhe pse kjo do të thoshte që për të arritur te vendimi final mund të nevojiten të paktën dy vjet.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi