Armatoset Serbia, Vuçiç blen dronë kamikazë arabë dhe avionë lufte nga Franca

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2023, 15:25 | Ballkani
Armatoset Serbia, Vuçiç blen dronë kamikazë arabë

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, doli për pazar në panairin e armëve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në “shportën” e tij, blerjen e parë ia dedikoi dronëve kamikazë. “Këta janë dronë kamikazë dhe do të jenë në territorin e Serbisë. Shpresojmë që në pesë apo gjashtë muajt e ardhshëm do të jemi në gjendje të kemi dronët e parë kamikazë në ushtrinë serbe”, tha presidenti serb.

Në pamundësi për të marrë armatime dhe sistemet raketore tokë-ajër nga Rusia, Serbia hedh sytë nga Franca për bombardues të fuqishëm. “Negociatat janë duke u zhvilluar me francezët për avionët ‘Rafale’. Tani ne nuk mund të marrim sistemet Pantsir për shkak të luftës në Ukrainë, por është një armë shkatërruese, veçanërisht Pantsir S1M. Ne kemi paguar paraprakisht 30 për qind për S1M, por tani është e pamundur të thuash se do të vijë në Serbi”.

Kosova dhe prezenca e NATO-s atje ishin ndër arsyet e paraqitura nga Vuçiç për këtë rritje të armatimeve të ushtrisë serbe. “Ne nuk do të shkojmë në luftë nëse nuk do na duhet dhe nëse nuk na sulmojnë”, tha Vuçiç.

Ai shtoi më tej se e gjithë bota po armatoset dhe se Serbia me dyqanin e saj special mund të shesë gjithçka brenda 15 viteve. Presidenti nënvizoi se aktualisht ka një kërkesë të madhe për granata, mina, lëndë shpërthyese, sistemin serb të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër, Pasars, dhe për automjetin serb të blinduar, Millosh.

Vuçiç komentoi edhe fjalimin e presidentit rus, Vladimir Putin, duke thënë se kuptoi që ai do të vazhdojë luftën në Ukrainë me shumë ashpërsi. Kjo sipas tij do të rëndojë Serbinë përballë ndërkombëtarëve, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Në panairin e armëve në Abu Dabi, presidenti serb ndaloi dhe përshëndeti edhe përfaqësuesit e industrisë ushtarake në stendën e Kroacisë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi