Mësimet e nxjerra pas 12 muaj luftimesh Rusi-Ukrainë

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2023, 18:53 | Bota
Mësimet e nxjerra pas 12 muaj luftimesh Rusi-Ukrainë

Vizita e presidentit Joe Biden në Ukrainë, ishte një vizitë me rëndësi historike, pasi jo vetëm dha mesazhin se e gjithë bota e qytetëruar është kundër masakrave që po realizon ushtria ruse në Ukrainë, por në të njëjtën kohë afirmoi vendosmërinë e SHBA-ve dhe aleatëve të saj për të mbështetur me çdo kosto pavarësinë territoriale të Ukrainës dhe mposhtjen e ushtrisë së Putinit në fushëbetejë.

Ndërkohë që u mbushën 12 muaj nga pushtimi kriminal, i paprecedentë dhe i paligjshëm i Ukranës nga drejtuesi i Federatës Ruse Vladimir Putin, në këto momente, ushtria ruse ka vendosur në gjendje gadishmërie rreth 500.000 forca ushtarake të reja të paangazhuara në luftime më parë në tre drejtime të Ukrainës. Më shumë se 150.000 ushtarë janë të gatshëm në pjesën jugore të vendit në vartësi të Distriktit Ushtarak Jugor, 120.000-150.000 ushtarë të tjerë janë të dislokuar në veri të Ukrainës në Bjellorusi dhe prej disa muajsh po realizojnë stërvitje ushtarake me ushtrinë e Bjellorusisë. Një sasi tjetër me rreth 150.000 ushtarë janë duke realizuar stërvitje dhe janë në vartësinë e Distriktit Ushtarak të Perëndimit, të gjithë sa më lartë të gatshëm për të filluar një ofensivë ushtarake.

Ky konflikt i cili ka filluar 12 muaj më parë, ka rezultuar në humbjen e jetës së dhjetëra mijëra ushtarëve nga të dy kampet, shkatërrimin e plotë kriminal të dhjetra qyteteve të Ukrainës, të ekonomisë, industrisë, infrastrukturës energjetike, rrugore, etj por nga ana tjetër ka forcuar dhe unifikuar aleancën midis vetë shteteve të perëndimit kundër Federatës Ruse.

Duke parë dështimet e njëpasnjëshme të ushtrisë së tij gjatë muajve të parë të luftës, presidenti Vladimir Putin në datën 11 janar të vitit 2023 emëroi si komandant të përgjithshëm të luftës në Ukrainë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Valeri Gerasimov.

Me qëllim që të kuptojmë sa më mirë se çfarë ka ndodhur gjatë këtij konflikti përgjatë 12 muajve, do të përpiqem të analizoj shumë shkurt disa mësime të nxjerra gjatë këtij konflikti deri në muajin shkurt të vitit 2023 (Një analizë të plotë të gjithë konfliktit në Ukrainë, e gjeni në librin e fundit i cili titullohet: “Strategjia ushtarake e Federatës Ruse, forcat e armatosura dhe fuqia luftarake”.

Mësimi 1. Përgatitja për të pushtuar Ukrainën, nga ana e ushtrisë ruse ishte e organizuar shumë dobët. Kjo në gjykimin tim për shkak të ruajtjes së sekretit nga presidenti Putin deri në momentin e fundit. Shumë pak njerëz të lartë në zinxhirin komandues të Kremlinit dhe të ushtrisë ruse kishin dijeni për fillimin e ‘Operacionit Ushtarak Special’ në Ukrainë.

Pushtimi në vetvete filloi me një seri sulmesh ajrore me avionë luftimi dhe me raketa me qëllim shkatërrimin e bazave ajrore ukrainase, shkatërrimin e fushave të aviacionit, njësive të mbrojtjes ajrore, shkatërrimin e linjave të komunikimit dhe të furnizimit, realizimin e sulmeve kibernetike, luftën e dizinformimit me qëllim dëmtimin e zinxhirit të komandim-kontrollit, etj.

Faktet treguan se pavarësisht këtyre sulmeve ato ishin të limituara, duke mos i penguar forcat ajrore të Ukrainës të sulmonin jo vetëm avionët rus në ajër por edhe të përballeshin me ta në disa raste në ajër. Duket theksuar se njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës përgjatë 12 muajve të konfliktit nuk i dhanë mundësi forcave ajrore ruse që të fluturonin lirshëm dhe pa rrezik në qiellin e Ukrainës. Këtë e tregon më së miri edhe sasia e madhe e rrëzimit të avionëve dhe helikopterëve rus gjatë kësaj fushate.

Mësimi 2. Planifikimi dhe ekzekutimi i operacionit special për pushtimin e Ukrainës, tregoi se personat përgjegjës për përgatitjen dhe planifikimin e strategjisë së pushtimit nuk kanë patur eksperiencën e duhur ushtarake. Të gjithë drejtuesit e agjensive kryesore të inteligjencës, të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse dhe rrjetet e tyre informative në terren në Ukrainë, besuan se nuk ishte e nevojshme përdorimi i një force të madhe ushtarake, pasi ata nënvleftësuan mbi të gjitha dëshirën e ukrainasve për të luftuar kundër ushtrisë ruse. Kjo duket qartë edhe nga emërtimi i këtij operacioni nga presidenti Vladimir Putin: “Operacion Ushtarak Special’.

Mësimi 3. Fillimi i menjëhershëm, i organizuar, profesional dhe intensiv i rezistencës nga të gjithë njësitë e ushtrisë, gardës kombëtare, legjioneve të huaja dhe të inteligjencës së Ukrainës, shfaqën qartazi dështimin e informacioneve dhe analizën e bërë nga agjensitë e shumta të inteligjencës ruse, të cilat deri në momentin e pushtimit kishin një rrjet shumë të madh të fuqishëm informatorësh dhe bashkëpunëtorësh në territorin e Ukrainës.

Mësimi 4. Njësitë ushtarake (grupbatalionet) të cilat morën pjesë në operacionet luftarake për marrjen e kontrollit të Kievit ishin të paorganizuara si duhet. Planifikimi për këtë sulm ku përfshiheshin rreth 15.000 trupa ushtarake të vendosura në një konvojë me gjatësi 65 km, pa siguri gjatë lëvizjes, pa mbështetjen e duhur me artileri dhe aviacion, etj bëri të mundur që ajo të ndalonte 20 km larg kryeqytetit.

Pikërisht kjo ndalesë, ky ç’organizim, mungesa e sigurisë bënë të mundur që shumë grupe speciale ukrainase dhe njësi vullnetare nga njësitë ‘kapëse-vrasëse’ të mbanin nën goditje të vazhdueshme gjatë gjithë gjatësisë së saj, në çdo kohë dhe vend, ditën dhe natën segmentë të ndryshëm të autokolonës, duke përdorur me efikasitet raketat e fuqishme anti-tank ‘Javelin’, NLAW, Milan, Tow, RPG, etj në bashkëpunim me sulmet e suksesshme nga ajri me raketat ‘Stinger’ dhe dronët turq ‘Bayraktar TB-2’, duke shkaktuar dëme të mëdha në njësitë ushtarake ruse, duke ulur moralin e tyre dhe dëmtuar dëshirën për të vazhduar më tej sulmin.

Mësimi 5. Operacioni rus për pushtimin e Kievit, Kharkivit, Khersonit, Zhaporizhzhias, Donetskut, Luhanskut dhe rajoneve të tjera të mëdha, fronti i luftës në Ukrainë i cili është shumë i madh me gjatësi rreth 1200 km, tregoi se përfshirja e forcave dhe e mjeteve ushtarake në këtë operacion ishin të pamjaftueshme, të paorganizuara sa duhej, pa mbështetjen e tyre me zjarr, mjetet luftarake kishin cilësi të dobëta, artilleri, njësitë ishin të pastërvitura në luftën urbane, në luftën guerrile, një ushtri me drejtues shumë të korruptuar e cila nxori në pah gjatë luftimit mungesën e organizimit dhe të mbështetjes së njësive ushtarake.

Mësimi 6. Federata Ruse nuk po e fiton luftën aq shpejtë sa e mendonte. Ndërkohë që shumë ekspertë perëndimorë mendonin se pushtimi i objektivave ushtarake të Rusisë do të përfundonte shpejtë, sot pas 12 muajsh lufte intensive në të tre frontet Rusia ka pushtuar vetëm 20-21 për qind të territorit të Ukrainës. Në rast se analizojmë me kujdes objektivat e arritura nga ushtria e dytë më e fuqishme në botë, rezultatet nuk janë aspak të kënaqshme. Por në të njëjtën kohë duhet të mos harrojmë se asistenca ushtarake e siguruar nga Ukraina e mbështetur nga perëndimi ka qënë jashtëzakonisht e madhe.

Mësimi 7. SHBA-të dështuan në unifikimin e plotë të komunitetit ndërkombëtar për të sanksionuar Federatën Ruse, kryesisht sektorin e saj të rëndësishëm të energjisë. Në këtë këndvështrim, shumë shtete të fuqishme dhe të rëndësishme nuk iu bashkuan sanksioneve ekonomike ndërkombëtare kundër Federatës Ruse, pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm të diplomacisë amerikane dhe përfshirjes së drejtëpërdrejtë të presidentit amerikan Joe Biden, duke dështuar të izolojnë nga ana ekonomike Rusinë në arenën ndërkombëtare. Këto mund të përmend në mënyrë të veçantë dy shtete shumë të fuqishme Kinën dhe Indinë, të cilat kanë refuzuar që t’i bashkohen sanksioneve dhe luftës, duke marrë vendimet e tyre politike vetëm bazuar në interesin e tyre kombëtar.

Mësimi 8. Pavarësisht fuqisë dhe teknologjisë ushtarake për të cilat askush nuk ka dyshim që Rusia i ka në dispozicion, përfshirja në një konflikt ushtarak në një territor të madh, në disa fronte kundër një ushtrie të madhe e cila aplikon luftë ballore me teknologji të fundit ushtarake të koordinuar me taktika guerrile, aq më shumë kur në këtë luftë janë përfshirë shumë aktorë të fuqishëm nga ana ushtarake dhe financiare, tregoi se kjo luftë është e vështirë të fitohet.

Mësimi 9. Lufta që po zhvillohet nga muaji korrik 2022 deri në muajin shkurt 2023 në rajonin e Donetsk-ut për marrjen e qytetit të Bakhmut-it, Soledar-it, Vuhledar-it ka kushtuar jetën e mijëra ushtarëve nga të dy krahët. Qyteti i rëndësishëm i Soledarit u morr nën kontroll nga mercenarët e Grupit Wagner në datën 11 janar 2023, por luftimet në këtë qytet po zhvillohen njëlloj si në kohën e Luftës së I-të Botërore nëpër transhe të fortifikuara rëndë (Trench Warfare), ku mijëra forca luftonin vetëm për 10 m territor.

Sipas analizës time, qëndresa dhe rezistenca e madhe e 9-12 Brigadave të Motorizuara, Mekanizuara dhe Parashutiste të Ukrainës për disa muaj me radhë në këtë rajon ose linjë të frontit ishte e panevojshme.

Kjo për të vetmen arsye se nuk justifikon në asnjë mënyrë humbjen e mijëra ushtarëve ukrainas ose të 50-60 për qind të efektivit të këtyre Brigadave, mbrojtja e cila në fund të fundit përsëri po dështon. Fatkeqësisht trupat e Ukrainës po përballen me mangësi të mëdha në artileri dhe muncione.

Mësimi 10. Ky konflikt nxori në pah rëndësinë e madhe të sigurimit të mbështetjes me sasinë e nevojshme të municioneve të artilerisë për njësitë të cilat luftojnë në front. Këtu e nuk kam fjalën vetëm për artilerinë e rëndë, mjetet të blinduara, njësitë tankiste dhe dronët e sulmit. Në shtesë sa më lartë, këto njësi duhet të kishin në dispozicion edhe mbrojtje më të mirë nga ajri. Gjatë ofensivës ruse të muajve janar-shkurt 2023 në rajonin e Donetsk-ut, u pa qartë mungesa e forcës për organizimin e kundërsulmeve nga ana e njësive ukrainase, për shkak të mungesës së mbështetjes me artileri dhe municion. Ushtria ruse gjatë kësaj ofensive ka shkatërruar një numër shumë të madh të artilerisë dhe të depove të tyre me municion.

Kjo ka bërë të mundur humbjen e jetës së mijëra ushtarëve të Ukrainës, uljen e moralit të tyre dhe dështime në fushëbetejë. Gjatë muajve janar-shkurt 2023, njësitë ruse kanë përdorur në front deri në 60.000 predha artilerie në ditë, ndërkohë që ushtria e Ukrainës ka mundur të përdorë midis 6000-6500 predha në ditë. Gjykoj se është shumë e rëndësishme që perëndimi të dërgojë sa më shpejtë në frontin e Ukrainës artileri të fuqishme së bashku me municionet përkatëse, me qëllim që të ushtria e Ukrainës të rimarrë kontrollin ose të kundërshtojë me forcë avancimin e njësive të blinduara ruse në këtë front të rëndësishëm.

Lajmi i mirë është se presidenti amerikan Joe Biden deklaroi dërgimin shumë shpejt të 2 milionë predhave të artilerisë sipas paketës së fundit të ndihmave, të cilat do të bëjnë dallim të menjëhershëm në fushëbetejë.

Mësimi 11. SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht faktit se e kanë mbështetur Ukrainën me një sasi të jashtëzakonshme asistence ushtarake dhe ekonomike e cila shkon në rreth 120 miliardë dollarë, duhet të përshpejtojnë dërgimin e mjeteve të blinduara kryesisht tanke, artilerisë të rëndë, armëve kundërtanke, raketave me larghedhje të madhe, sistemeve të mbrojtjes ajrore, etj në mbështetje të njësive ukrainase të cilat po luftojnë me heroizëm të madh kundër ofensivës ruse gjatë muajve dhjetor 2022-shkurt 2023 në rajonin e Donbasit.

Mësimi 12. Intensiteti i luftimeve gjatë këtij konflikti 12 mujor, nxori në pah nevojën e sigurimit të rezervave të mëdha strategjike në arsenalin e ushtrive të vendeve të NATO-s. Asistenca ushtarake e vendeve të NATO-s megjithëse ishte shumë e madhe përgjatë 12 muajve, përsëri nuk ndikoi sa duhej në rezultatin final në fushëbetejë. Ndërkohë kur të gjithë analistët më të mirë të mbrojtjes në botë dhe të shërbimeve sekrete të perëndimit deklaruan se ushtria ruse do të dorëzohej për shkak të mungesës së armëve dhe të municionit, koha provoi të kundërtën. Kremlini zyrtar nën presionin e vazhdueshëm të presidentit Putin nuk dështoi të mbështeste me municione njësitë ruse, edhe pse intensiteti i përdorimit të tyre është i paimagjinueshëm dhe i pakrahasueshëm me asnjë konflikt të ngjashëm të 6 dekadave të fundit.

Në gjykimin tim, ushtritë e perëndimit dhe industritë e tyre të mbrojtjes duhet të nxjerrin mësim që sa më parë të zëvendësojnë me shpejtësi arsenalin ushtarak të armëve dhe municioneve të dhuruar për ushtrinë e Ukrainës dhe të marrin masa për rritjen e prodhimit të municionit nga industritë e tyre ushtarake.

Mësimi 13. Përdorimi intensiv i dronëve të zbulimit, dronëve të sulmit, dronëve kamikaz nga të dy krahët, solli revolucionarizimin e luftës së sotme në atë që njihet si ‘Drone Warfare’. Përveç shkatërrimit të një numri të konsiderueshëm të mjeteve të blinduara të rusëve, njësive të raketave të mbrojtjes kundër-ajrore, postave të komandim-kontrollit, sulmeve në bazat ajrore me avionë bombardues strategjikë si në rastin e bazës ajrore ‘Engels’ në Federatën Ruse, sulmeve në bazat ajrore të Gadishullit të Krimesë, sulmet kundër anijeve ruse të Flotës së Detit të Zi me dronë nënujorë, grumbullimit të informacionit rreth vendodhjes së trupave përkatëse, korigjimit të zjarrit të artilerisë, etj përdorimi i dronëve turq ‘Bayraktar TB-2’ ekspozoi boshllëqet e mbrojtjes ajrore ruse dhe mungesën e strategjisë për t’u përballur me to me efektivitet.

Mësimi 14. Pavarësisht performancës së dobët gjatë muajve të parë të luftës, njësitë ruse mësuan me shpejtësi nga gabimet e shumta. Që nga fillimi i pushtimit në datën 24 shkurt 2022, njësitë ruse ishin të paorganizuara si duhet. Taktikat e tyre të përdorimit të helikopterëve, aviacionit, trupave të blinduara, njësive tankiste, taktikat e luftës në qëndrat e banuara, etj ishin të paqarta, jo efektive, të ç’organizuara, pa bashkëpunim midis njësive në operacion dhe komandim-kontoll, pa mbështetjen e duhur logjistike, mjeksore, të zjarrit, etj duke bërë të mundur që një numër shumë i madh i mjeteve ajrore të rrëzoheshin, një numër i madh mjetet të blinduara dhe tankeve të shkatërroheshin dhe njësitë të dështonin në realizimin e misionit të tyre.

Mbështetja logjistike e grupbatalioneve ruse ishte shumë e dobët, në shumë raste dhjetëra mjete të blinduara, artileri dhe tanke të ushtrisë ruse u lanë në duar të ushtrisë së Ukrainës. Pas këtyre dështimeve, pas kritikave të mëdha nga presidenti Vladimir Putin, ministri Sergei Shoigu, gjenerali Valeri Gerasimov dhe nga presioni ndërkombëtar, mësimet e nxjerra pas gjashtë muajve të parë të Operacionit Special Ushtarak në Ukrainë, ushtria ruse filloi të dislokonte ushtarë më të stërvitur, më të pajisur, taktikat e të cilëve filluan të përshtateshin dhe të ekzekutoheshin më me sukses.

U rrit ndjeshëm përdorimi me efikasitet i njësive të blinduara, njësive tankiste, njësitë e këmbësorisë nuk dislokoheshin pa mbështetjen me artileri, zbulimi dhe lufta elektronike ishin më efikase, duke bërë që organizimi i operacioneve të sulmit dhe të luftës në terrene urbane të krijonte epërsi të dukshme në fushëbetejë deri në muajin shkurt të vitit 2023.

Mësimi 15. Përdorimi me efektivitet dhe me mbështetjen e duhur të zjarrit të artilerisë dhe të inteligjencës i njësive të grupeve të armatosura mercenare, ka qënë i sukseshëm si nga Federata Ruse por edhe nga Ukraina. Këtu dua të sjell në vëmendjen tuaj, përdorimin intensiv të forcave të Grupit ‘Wagner’, njësitë e të cilit kanë angazhuar deri në 40.000 mercenarë në këtë konflikt. Ata kanë siguruar disa fitore të rëndësishme për ushtrinë ruse ku mund të përmendim marrjen e kontrollit të qytetit shumë të rëndësishëm Soledar dhe Bakhmut.

Mësimi 16. Numri i personave civilë dhe ushtarakë të vrarë është shumë i lartë dhe po vazhdon të rritet dita ditës nga të dyja krahët, kjo sidomos gjatë luftimeve të fundit në Soledar, Vuhlendar dhe në Bakhmut ku çdo ditë janë vrarë qindra ushtarë në fushëbetejë.

Mësimi 17. Dështimet e muajve të para, intensiteti i lartë i luftimeve, mësimi nga gabimet e shumta, dëshira për ta fituar këtë konflikt me çdo çmim, futja në prodhim të plotë e industrisë ushtarake ruse, pjesëmarrja e një numri shumë të madh të ushtrisë ruse në luftime, testimi i taktikave dhe teknikave të reja të luftimit, përballja me armët dhe taktikat e luftimit të NATO-s në shumë forma dhe fronte, etj pavarësisht humbjeve të mëdha, në gjykimin tim kanë rritur ndjeshëm aftësitë operacionale të njësive të ndryshme të ushtrisë ruse. Ky konflikt ka nxitur Federatën Ruse që në të ardhmen të:

Rrisë ndjeshëm numrin e forcave të saj të armatosura të cilat gjatë viteve 2023-2024 do të shkojnë në 1.5 milionë.

Buxheti ushtarak do të rritet me të paktën 50 për qind.

Industria ruse nuk do të ketë kufizime sa i përket buxhetit, por përkundrazi sipas presidentit Vladimir Putin do të ketë në dispozicion një sasi prej 50 miliardë dollarësh shtesë në dispozicion të prodhimit të avionëve, nëndetëseve, tankeve, armatimeve dhe raketave të reja.

Krijimi dhe forcimi i një aleance anti-perëndim midis Federatës Ruse, Republikës Popullore të Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut përbën në të ardhmen një kërcënim të madh për demokracitë në botë.

Kosto e luftës deri në mes të muajit shkurt 2023 për presidentin Putin ka kaluar 90 miliardë dollarët.

Mësimi 18. Ushtria e Ukrainës pavarësisht humbjeve të mëdha në fushën e betejës ka treguar se pavarësisht fuqisë së jashtëzakonshme të kundërshtarit, dëshira për të luftuar në disa raste mbikalon fuqinë e armëve dhe raketave. Ky konflikt ka mundësuar që:

Qeveria e Ukrainës nën lidershipin e presidentit Volodimir Zelenski ka arritur që të unifikojë përpjekjet e të gjithë vendeve të BE-së së bashku me SHBA-të dhe vendet me demokracitë më të konsoliduara në botë, duke arritur që të krijojnë një koalicion të fuqishëm ndërkombëtar kundër Federatën Ruse.

Komuniteti ndërkombëtar me SHBA-të në krye, e kanë dënuar gjerësisht dhe me forcë këtë pushtim kriminal, të paprovokuar dhe të paligjshëm, i cili ka shkaktuar vdekjen e shumë civilëve, ushtarakëve dhe shkatërrimin e plotë të gjysmës së Ukrainës.

Ky pushtim ka krijuar një mbështetje të madhe ekonomike, financiare dhe asistencë ushtarake në një masë që po i kalon 100 miliardë dollarët. Për këtë mbështetje presidenti Josef Biden ka deklaruar se kjo mbështetje do të vazhdojë deri në mposhtjen e Federatës Ruse.

Ushtria e Ukrainës në ditët e sotme është ushtria më me eksperiencë luftimi në Europë. Ajo është e aftë të planizojë, ekzekutojë operacione të shkallës së gjerë, të përdorë sistemet ushtarake dhe teknologjitë më të avancuara të perëndimit në fushëbetejë dhe nëse do të arrijë të fitojë këtë luftë (për të cilën unë personalisht besoj se është e pamundur), atëherë do të dalë shumë më e fortë sesa ishte në fillim të saj.

Si pasojë e humbjeve të mëdha në njerëz, ushtrisë së Ukrainës do t’i duhet një kohë e gjatë për tu ringritur edhe një herë në nivelet e fillimit të vitit 2022.

Mësimet e nxjerra nga ushtria e Ukrainës gjatë konfliktit kundër ushtrisë ruse, duhet të shërbejnë si objekt studimi dhe të jenë pjesë e programeve të stërvitjes në ushtritë e NATO-s, duke rritur në këtë mënyrë kapacitetet e tyre në një përballje në të ardhmen me ushtrinë ruse.

Nga Dr. Dritan Demiraj (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos