Propozimi evropian, Kurti në Shkup: Ujdia vetëm me njohje, siç tha Biden e Scholz
Propozimi europian ende nuk është firmosur, por Serbia e ka shkelur një pikë të saj. Është kjo akuza e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me të cilin zhvilloi bisedime të vështira të hënën në Bruksel.
“Presidenti i Serbisë u zotua të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kjo është një shkelje e qartë e artikullit 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë.”
Më herët nga Shkupi, Kurti bëri të ditur se nuk ka hequr dorë nga njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë si pjesë qendrore. Kjo është thënë nga presidenti Biden, nga sekretari Blinken, nga kancelari Scholz, që njohja e ndërsjellë është pjesa qendrore e normalizimit të plotë të marrëdhënieve për çka jemi duke u munduar me zell që ta ndërtojmë dhe të vazhdojmë tutje me propozimin e BE-së i cili i është prezantuar dy palëve, mua dhe presidentit serb dhe kemi pranuar tekstin me këtë propozim dhe e kemi miratuar në dy kryeqytetet dhe pastaj edhe në Bruksel.”
Kryeministri Kurti foli dhe takimin e radhës në kuadër të dialogut që për herë të parë do të mbahet jo në Bruksel.
“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë ishte nënshkruar kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ka ftuar të vijmë këtu për takimin e radhës të nivelit të lartë.”
Deklaratat e Kurtit erdhën në Forumin Ekonomik, ndërsa gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut u takua dhe me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.