Tragjedia në Greqi, qeveria shpall 3 ditë zie kombëtare

Nga A2 CNN
1 Mars 2023, 10:46 | Ballkani
Tragjedia në Greqi, qeveria shpall 3 ditë zie kombëtare

Përplasja kokë më kokë e dy trenave, pasagjeresh dhe mallrash, në orët e vona të së martës pranë qytetit të Larisës është shndërruar në atë që sipas mediave greke, është tragjedia më e rëndë hekurudhore në historinë e vendit.  Të paktën 36 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 66 të plagosur, 6 prej të cilëve në gjendje kritike dhe po trajtohen ne terapi intensive. Megjithatë ekziston frika se bilanci mund të rritet pasi një serë personash janë ende të bllokuar në vagonët e parë të trenit të pasagjerëve, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë. Një prej të mbijetuarve rrëfen ato që i quan sekondat e tmerrit.

“Dëgjuam një zhurmë të fortë, ishin 10 sekonda tmerri; po rrotulloheshim nëpër vagonë deri sa ramë në një krah. Kishte panik, kabllo kudo dhe zjarr. Flakët shpërthyen menjëherë teksa po përmbyseshim, dhe vinin nga e majta dhe e djathta”, thotë një i mbijetuar.

Treni i pasagjerëve që besohet se po udhëtonte nga Athina drejt Selanikut me rreth 350 pasagjerë në bord, u përplas kokë-më- kokë me një tren mallrash që lëvizte në drejtimin e kundërt në luginën e Tembit, pak pas mesnatës.

Sipas raportimeve shumica e pasagjerëve thuhet të jenë të rinj që po ktheheshin nga një ekskursion të zhvilluar me rastin e Kreshmës Ortodokse. Në rrethana që ende mbeten për t’u sqaruar, të dy trenat po udhëtonin në të njëjtën shinë, çka ka shkaktuar edhe përplasjen e dhunshme. Operacioni i shpëtimit ku janë përfshirë mbi 150 zjarrfikës, 17 automjete, 4 vinça dhe rreth 40 autoambulanca, është fokusuar tek tre vagonët e parë të trenit të pasagjerëve, të cilët dolën nga shinat pas aksidentit. Një prej tyre u përfshi nga flakët dhe disa persona mbetën të bllokuar.

“U përmbysëm; një zjarr shpërtheu pranë nesh. Një burrë pa një vrimë dhe ne arritëm të dilnim”, tha një tjetër i mbijetuar.

Policia e përshkroi këtë si një aksident tragjik dhe tha se hetues nga Athina dhe Selaniku ishin mobilizuar për të asistuar autoritetet lokale. Kryeministri Kiriakos Mitsotakis shpalli 3 ditë zije kombëtare.

https://a2news.com/2023/03/01/aksidenti-tragjik-ne-greqi-zyka-nuk-dihet-nese-ka-shqiptare-shkak-gabimi-njerezor/
https://a2news.com/2023/03/01/tragjedia-hekurudhore-ne-greqi-rama-i-bashkohet-ngushellimeve/
https://a2news.com/2023/03/01/perplasen-trenat-begaj-i-tronditur-nga-tragjedia-shqiperia-ne-krah-te-greqise/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli