Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

“Me Ukrainën deri në fund”, Blinken dhe Lavrov përplasen në Samitin e G20

Nga A2 CNN
2 Mars 2023, 15:17 | Bota
“Me Ukrainën deri në fund”, Blinken dhe Lavrov

Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krah Ukrainës për sa kohë që të jetë e nevojshme. Me këto fjalë i është drejtuar Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, homologut rus, Sergei Lavrov në përballjen e tyre të parë që prej shpërthimit të luftës.

Dy zyrtarët e lartë zhvilluan një takim 10 minutësh, të paplanifikuar, në kuadër të Samitit të G20-s në Indi gjatë së cilit u përfshinë në një luftë fjalësh lidhur me konfliktin në Ukrainë.

Blinken u kërkoi shteteve anëtare të shtojnë trysninë ndaj Moskës, ndërsa tha se takimi i G20 ishte minuar nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë.

“Ne duhet të vazhdojmë t’i bëjmë presion Rusisë, t’i japë fund luftës së agresionit dhe të tërheqë forcat e veta nga Ukraina për hir të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Fatkeqësisht, ky takim u minua sërish nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë.”

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken

Blinken u mbështet nga homologët e tij nga Gjermania, Franca dhe Holanda. Shefja e diplomacisë së Berlinit Analena Baerbock i kërkoi Moskës t’i rikthehet traktatit bërthamor në start, siç tha për të shmangur rrezikun e një konfrontimi bërthamor.

Sakaq, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u kundërpërgjigj duke akuzuar shtetet perëndimore se e kishin kthyer në një farsë agjendën e G20-s dhe se po fundosnin marrëveshjen për eksportin e drithërave nga Ukraina.

“Një numër i madh delegacionesh perëndimore e kanë kthyer në një farsë agjendën e G20, me qëllimin për të devijuar përgjegjësinë për dështimet e tyre në ekonomi tek federate ruse.”

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov

Rusia dhe aleatët perëndimorë nuk i kanë shmangur përplasjet pavarësisht thirrjes së Kryeministrit indian Narendra Modi, vendi i të cilit është mikpritës i takimit të G20-s. Në një video mesazh të rrallë në gjuhën angleze ai kërkoi që të lihen mënjanë ndasitë për të zgjidhur ato çështje që mund të zgjidhen.

A2 CNN Livestream

Dita jonë