Partizani-Tirana luhet në “Arenën Kombëtare”

Publikuar më: 2/3/2023, ora 15:14

Partizani-Tirana luhet në “Arenën Kombëtare”

Publikuar më: 2/3/2023, ora 15:14

Derbi Partizani-Tirana do të luhet në Arenën Kombëtare. Klubi i kuq, si skuadra organizatore njoftoi se supersfida e kryeqytetit do të zhvillohet në stadiumin më të madh në vend, për të mundësuar prezencë sa më të madhe të tifozëve.

Dueli i 6 marsit, në të cilin mund të vendosen fatet e titullit kampion është diskutuar prej ditësh. Partizani kërkonte ta zhvillonte ndeshjen në stadiumin e tij. Kapaciteti i vogël i impiantit të ri të të kuqve do të ndikonte në numrin e ulët të të ardhurave.

Megjithatë, ky faktor do të shfrytëzohej në favor të ekipit të Colella-s, pasi të pranishëm në derbi do të ishin vetëm 200 tifozë kundërshtarë, duke krijuar një atmosferë mbytëse për bardheblutë. Por, me ndërhyrjen e federatës, edhe klubi i kuq u pajtua me idenë se derbi është një duel që duhet shijuar nga sa më tepër spektatorë.

“Klubi zyrtarizon stadiumin ‘Air Albania’ për zhvillimin e takimit Partizani-Tirana. Kjo duke parë interesimin e madh të tifozerisë së kuqe për të qenë sa më e shumtë prezent në këtë ndeshje të rëndësishme”, shkruhej në njoftimin e Partizanit.

Derbi, i vlefshëm për javën e 24-t të Kampionatit do të luhet të hënën, duke nisur prej orës 19:00. Tirana kryeson Kategorinë Superiore me 40 pikë, ndërsa Partizani i ndjek me 37 pikë.