Rriten gjobat për shkeljet e bizneseve, ekspertët: Mund të çojë në faliment dhe të rrisë korrupsionin
Rriten gjobat për shkeljet e bizneseve, ekspertët: Mund të çojë në faliment dhe të rrisë korrupsionin
Bizneset, por edhe institucionet publike do të përballen me gjoba disa herë më të larta në rast se kryejnë shkelje ligjore. Ekspertët thonë se rregullorja e re mund të çojë në faliment shumë sipërmarrje, si dhe të nxisë korrupsionin mes subjekteve dhe inspektorëve.
Nga mosregjistrimi i të dhënave, mosdeklarimi i punonjësve te shkeljet e fiskalizimit apo mosafishimi i çmimeve të shitjes për secilën nga shkeljet, do të ketë një masë specifike ndëshkuese.
Një rregullore e hedhur për Konsultim Publik nga Inspektorati Qendror synon të përcaktojë në rritje nivelin e gjobave ndaj sipërmarrjeve apo institucioneve publike kur kryejnë shkelje të karakterit tatimor apo fiskal.
“Para ndryshimeve të ligjit 99/20, masa administrative për subjektet, për një punonjës të paregjistruar ishte 50.000 lekë dhe bëhet 200.000 lekë për deklaratat e deklaruara gabim, për subjektet me xhiro vjetore mbi 8 milionë lekë, gjobat nisin nga 100 mijë lekë të reja”, shprehet Avni Tobli, ekspert kontabël.
Sipas relacionit, përveç aplikimit të gjobave, inspektorët mund të pezullojnë aktivitetin e subjekteve, të shfuqizojnë lejen e dhënë apo të konfiskojnë mjetet e përdorura gjatë shkeljes së kërkesave ligjore.
“Për mendimin tim, kjo nuk është e drejtë. Nuk mund të arrihet disiplinimi me anë të gjobave. Ato mund të çojnë në falimet bizneset.”
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se rritja e masave ndëshkuese mund të nxisë korrupsionin mes subjekteve dhe inspektorëve.