Beteja e atletikës, Izmir Smajlaj dhe Gjergj Ruli, 12 orë dëshmi në Nice

Nga A2 CNN
3 Mars 2023, 17:15 | Sporte të tjera
Beteja e atletikës, Izmir Smajlaj dhe Gjergj Ruli, 12 orë dëshmi

Dymbëdhjetë orë dëshmi. Kampioni i shumëfishtë shqiptar i atletikës, Izmir Smajlaj dhe presidenti i Federatës, Gjergj Ruli, dëshmuan pothuajse gjatë gjithë ditës së premte, përpara Gjykatës Sportive për zgjidhjen e konflikteve të natyrës etike.

Seanca e parë u mbajt në Nice të Francës, pas kërkesës së atletit kuqezi dhe kreut të federatës për t’u dëgjuar nga Federata e Atletikës. Ata dhanë dëshmitë, për t’iu përgjigjur akuzave nga Njësia e Integritetit, e cila i pezulloi në pritje të vendimit të Gjykatës.

Akuza lidhet me manipulimin e rezultatit në eventin e 8 majit 2021, në Ditën e Kërcimeve, ku sipas Njësisë së Integritetit të Atletikës botërore, Izmir Smajlaj siguroi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Megjithatë, dëshmia u cilësua pozitive dhe sipas avokates së Izmir Smajlajt dhe Federatës së Atletikës, Romina Zano, akuza nuk ka baza. “Në çdo rast që të kemi manipulim duhet të kemi një pasojë, apo një përfitim. Duke qenë se konkurrimi për të cilin ka akuza nga Njësia e Integritetit nuk ishte zyrtar dhe nuk siguronte kualifikimin në Lojërat Olimpike, akuza nuk ka baza. Për më tepër, duke qenë rekordmen ndër vite Izmiri në Olimpiadë do të ishte pjesëmarrës me ftesë nga Komiteti Olimpik dhe ky fakt nuk do të ndryshonte në asnjë rrethanë”, tha avokatja Romina Zano.

Për shkak se procesi ishte i tejzgjatur, trupa Gjyqësore e përbërë nga tre gjyqtarë, ku kryetarja ishte nga Londra, vendosi që diskutimi përfundimtar të zhvillohet të martën, në orën 14:00. Seanca do të zhvillohet me video-konferencë dhe aty do të përfaqësohen të gjitha palët e përfshira.

Sipas zyrtarëve të Federatës së Atletikës, përfundimi i dëshmisë duket pozitiv, pasi gjithçka rreth hetimit nga Njësia e Integritetit deri më tani është realizuar online dhe për herë të parë u zhvillua një ballafaqim fizik. Për më tepër pretendohet se nuk ekzistojnë fakte konkrete dhe akuzat janë ngritur nga indicie të tërthorta.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu