F1 në Bahrein, Alonso befason në provat e lira, Ferrari nuk shkëlqen

Publikuar më: 3/3/2023, ora 17:30
alonsooo 1071x720

F1 në Bahrein, Alonso befason në provat e lira, Ferrari nuk shkëlqen

Publikuar më: 3/3/2023, ora 17:30

Fernando Alonso ishte protagonisti i madh i provave të lira në Çmimin e Madh të Bahreinit. Piloti i Aston Martin regjistroi kohën më të mirë, duke u pozicionuar i pari dhe befasoi rivalët e Red Bull, që deri në atë moment kishin dominuar.

Alonso ishte 169 të mijëtat më i shpejt se Max Verstappen, ndërsa Sergio Perez u pozicionua vetëm i treti, pavarësisht se në provat e para ishte më i shpejti në pistë. Ferrari nuk shkëlqen. Pas vonesës me thuajse një sekond e gjysmë nga rivalët gjatë paradites, distance mbeti e konsiderueshme edhe në provat e dyta. Charles Leclerc u rendit i katërti, duke qenë 46 të qindtat më i ngadaltë në vijën e finishit.

E papritur edhe paraqitja fantastike e Nico Hulkenberg, që me Team Has u ngjit deri në vendin e pestë, duke qenë nëntë të mijëtat larg Ferrarit.

Paraqitja e mirë e Aston Martin u konfirmua edhe nga Lance Stroll, i cili ishte i gjashti, 543 të mijëtat më i ngadaltë se shoku i ekipit, Fernando Alonso.

Përpara garës së kësaj të diele në Sakhir, Red Bull kishte dhënë sinjale se është makina për t’u mundur. Por, me paraqitjen e Alonsos, tashmë starti i Botërorit në Formula 1 bëhet tejet interesant.

E vetmja që nuk shkëlqen është Mercedes, që konfirmoi pakënaqësitë dhe mungesën e besueshmërisë së shfaqur gjatë testeve të mëparshme. Lewis Hamilton dhe George Russell kanë ende shumë punë për të qenë konkurrues.