“Kreu i opozitës duhet të zgjidhet nga populli dhe jo nga gjykata.” Ka qenë ky mesazhi që anëtarja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, ka dashur të përcjellë sot jashtë ambienteve të Gjykatës së Apelit, ku sot pritet të vendoset për siglën dhe vulën e Partisë Demokratike.
Duke folur për mediat, Hajdari theksoi se procesi i sotëm gjyqësor është një falsitet, ndërsa shtoi se kriza në PD po shfrytëzohet nga kryeministri Edi Rama.
“Unë jam gardiane e parimeve demokratike. Kam qenë kundër braktisjes së Parlamentit. Nëse sot kemi një proces gjyqësor, që është falsitet, që nuk dua të jetë kështu, por duket sikur po kthehet në levën e Edi Ramës për ta futur opozitën në kaos total. Po shkelen me këmbë parimet e demokracisë. Uroj që trupa gjykuese t’i mbajë parasysh këto parime që nuk duhet t’i shkelë.”
Rudina Hajdari i bëri thirrje trupës gjykuese që të mbajë parasysh parimet demokratike “që shumica prevalon dhe nuk mund të lejojë pakicën që të imponojë shumicën.”