Kush është kryetari? Saga e demokratëve dhe dualiteti në drejtimin e partisë

Nga A2 CNN
3 Mars 2023, 10:30 | Politikë
Kush është kryetari? Saga e demokratëve dhe dualiteti në

Shpallja non grata e Sali Berishës nga SHBA-ja dhe përjashtimi tij nga grupi parlamentar i demokratëve në PD, shkaktoi përçarjen në dy palë brenda kësaj force politike.

Pas këtij vendimi, Berisha nisi një sërë takimesh me strukturat që e mbështesnin për t’i ftuar ata në një kuvend që kishte si synim rithemelimin e Partisë Demokratike.

Vetëm 7 ditë pas këtij Kuvendi, më 18 dhjetor 2021 Lulzim Basha vendosi të thërriste edhe ai një Kuvend për të treguar forcën dhe për t’i dhënë një mesazh Sali Berishës se ai nuk do të ishte më pjesë në asnjë nga strukturat e PD-së.

Po në këtë ditë, grupimi Berisha shkarkoi me referendum Lulzim Bashën si kryetar i PD-së dhe rihapi garën për këtë post.

Pas këtyre lëvizjeve nga të dyja palët, Lulzim Basha vendosi të blindonte selinë duke penguar grupimin Berisha të futej brenda, gjë që çoi në konflikt fizik dy grupimet në PD.

Çfarë nuk e mori dot me forcë, Berishën e mori me votë, falë ndihmës së Ilir Metës, që firmosi dekretin presidencial për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore më 6 mars, në bashkitë që kishin mbetur pa kryetar. Rezultati ishte shkatërrues për Lulzim Bashën, dorëheqjen e të cilit e kërkuan edhe ata deputetë që deri në ato momente e kishin mbështetur.

Më 21 mars 2022, Lulzim Basha dha dorëheqjen të cilën e argumentoi si një hap për të bashkuar dhe ringritur Partinë Demokratike.

Dorëheqja nuk u zyrtarizua asnjëherë në gjykata, ku vetëm 5 ditë më pas u miratuan vendimet e Kuvendit të Berishës.

Ndonëse Basha premtoi se do të bënte një hap pas, ai emëroi si kryetar të komanduar, Enkelejd Alibeaj një prej njerëzve më të besuar të tij, i cili e ankimoi në Gjykatën e Apelit vendimin e shkallës së parë për njohjen e Kuvendit të Berishës.

Pas disa javësh, Alibeaj propozoi një platformë për bashkimin e PD-së, por pa bërë Berishën pjesë të grupit parlamentar. Nga ana tjetër, grupimi Berisha kishte nisur proceset zgjedhore në bazë dhe kulmoi me zgjedhjen e tij si kryetar më 21 maj të 2022.

Tentativat për bashkim mes palëve në grupin parlamentar u bënë disa herë, por pa rezultate konkrete.

Për një pjesë të deputetëve që mbështesin Alibeajn vendimi i Gjykatës së Apelit do të përcaktojë dhe pozicionin e tyre përfundimtar.

Gjykatën e pret edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të vendosur se në emër të kujt do të regjistrojë PD-në në garën elektorale të 14 majit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli