Dan Hutra, profili i një vrasësi serial

Nga A2 CNN
4 Mars 2023, 16:13 | Kronikë

Dan Hutra, profili i një vrasësi serial

Julian Kasapi, Armand Bajrami.

Dan Hutra, nga Shënmëria e Kukësit, është djali më i vogël nga tre djemtë e Riza dhe Mislije Hutrës. Të larguar nga Kukësi dhe me banim në zonën e Vaqarit që në moshën 21-vjeçare Hutra nisi problemet e para me drejtësinë. 

Ai u arrestua për tentativën e pengmarrjes së vjehrrës dhe kunatës ndërsa përgjatë viteve vjedhjet bënë që ai të hynte e të dilte nga qelitë e burgut deri në vitin 2007.

Vrasja e parë

Ish-bashkëshortja e tij, Dafina Havalja, në atë kohë 22 vjeç, u qëllua me thikë për vdekje nga Hutra. Pasi kreu krimin, Hutra u largua qetësisht nga banesa, duke mbyllur derën dhe marrë në telefon nënën e viktimës, të cilës i tha: “Rrofsh vet se Dafinën e kam mbyt”.

Në atë kohë, edhe pse vetëm 25 vjeç, Hutra u dënua me 24 vite heqje lirie por gjykimi i shkurtuar bëri që të dënohej me 16 vite burg.

Edhe pse më herët kishte pasur tentative arratisjeje nga burgu i Drenovës, Hutra u lirua në vitin 2021. Deri në vitin 2022 ai u përfshi në vjedhje banesash dhe dhunë në familje, kësaj here ndaj ish bashkëshortes së tij të dytë, Elena Hysa.

Dënimi i fundit ndaj tij është dhënë nga Gjykata e Tiranës në 8 shkurt 2023. Ai u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, për dhunën psikologjike të ushtruar ndaj ish-partneres së tij.

“Më trajtonte si skllave”

Edhe pse të njohur me shkuesi, dëshmia e Elena Hysës mbi partnerin e saj 40-vjeçar ishte shokuese. Sipas saj, ai e trajtonte si skllave, i kërkonte t’i lante këmbët e t’i çonte kafen në krevat.Por vrasësi nuk u mjaftua me kaq. Rreth 1 vit më parë, ai nuk pranoi atësinë e fëmijës dhe kërcënonte familjen e Elena Hysës si dhe i kërkonte lekët e fejesës.

Gjatë gjykimit Hutra paraqiti dy deklarata noteriale, ku deklaronte tërheqjen nga kallëzimi të Elenës dhe një nga babai i saj për normalizim të marrëdhënieve.

Por lirimi i tij nuk ishte për normalizimin e marrëdhënieve dhe sapo la qelinë në shkurt të vitit 2023 Hutra filloi të përgatisë planin e tij të vrasjeve.

Me 1 mars nëpërmjet një makine të marrë me qira ai shkon drejt Astirit ku plagos me thikë 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi.

Nga zona e Astirit deri në Kodër Kamëz në banesën e ish bashkëshortes 40-vjeçarit i janë dashur 20 minuta dhe sapo ka mbërritur në rrugën Rustem Haklaj në orën 12:35 ai i është drejtuar shtëpisë së familjes Hysa.

Të katërtat pjesëtare kanë qenë duke larë një automjet të një afërmi të tyre kur Dan Hutra u fut në brendësi të oborrit dhe qëlloi me breshëri automatiku. Nga të shtënat mbetën të vdekura në vend Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku.

Duke shfrytëzuar rrugicat ,në orën 12:42 minuta Hutra mbërriti në rrugën Besëlidhja në Kamëz. Edhe pse nuk e njihte personalisht 31-vjeçaren Etleva Kurti ai iu afrua portës së shtëpisë dhe e pyeti atë nëse është motra e Vladimir Kurtit. Pohimi i saj mjaftoi qe ai ta qëlloje me tre plumba duke i marrë jetën.

Dëshmia tronditëse në gjyq

Për 6 orë më pas Hutra lëvizte i lirë dhe i armatosur në rrugët e Tiranës. Arrestimi i tij ndodhi në zonën e Sharrës në afërsi të Landfillit në Tiranë rreth orës 18:45.Pas identifikimit dhe njoftimit të policisë nga dy djem të rinj për vendndodhjen e vrasësit, 4 efektivë të patrullës së përgjithshme të komisariatit numër 6 në Tiranë prangosën Hutrën, i cili kishte shkuar në zonë për të kryer vrasjen e katërt.

Dëshmitë e tij në gjyq ishin edhe më tronditëse “Nuk jam i penduar, i kam bërë më konshiencë krimet. Jam dënuar pa faj për dhunën në familje, nuk e kisha prekur”, tha Hutra të shtunën e 4 marsit.

https://youtu.be/gw3CW7DMbss

Gjatë seancës, gjyqtarja i ka thënë, e di që me këto akuza rrezikon burgim përjetë. “As më intereson fare”, ka pohuar Hutra, “edhe 5 burgime të përjetshme të jenë. E kam mbyllur”.

Ai pretendon se është dënuar më parë pa pasur faj për dhunë në familje. “As nuk e kam prekur bashkëshorten”, ka thënë ai, duke pretenduar më pas se ka qenë ky vendim që e ka shtyrë atë të kryejë edhe vrasjet. “I kërkoj drejtësisë, mos dënoni njerëz të pafajshëm, për të mos mbërritur në masakra të tilla”, ka thënë Hutra.

https://a2news.com/2023/03/03/lirimi-i-dan-hutres-kuvendi-veting-drejtesise-kerkon-informacion-per-vrasesin-serial/
https://a2news.com/2023/03/02/itinerari-i-nje-vrasesi-si-ne-30-minuta-dan-hutra-i-mori-jeten-tri-grave-dhe-plagosi-tri-te-tjera/
https://a2news.com/2023/03/02/seriali-dan-hutra-ne-20-vitet-e-fundit-qendroi-me-pak-se-4-vjet-ne-liri-u-prangos-5-here/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi