Real ndalet nga Betis, Barça arratiset në +9

Publikuar më: 6/3/2023, ora 07:03
real

Real ndalet nga Betis, Barça arratiset në +9

Publikuar më: 6/3/2023, ora 07:03

Java e 24-t e La Liga-s konfirmoi Barcelonën si pretendente e vetme për titull, edhe sepse vijon ecuria me oshilacione e Real Madrid. Katalanasit fituan përballë Valencias, teksa Los Blancos u ndalën në barazim nga Betis.

Sfida në Andaluzi përfundoi me rrjeta të paprekura, duke bërë që Reali t’i dhurojë dy pikë të tjera avantazh Barcelonës. Skuadra e Ancelotti-t provoi me të gjitha mënyrat të fitonte, por pas golit të anuluar të Benzema-s, për prekje me dorë të Rüdiger, portieri Claudio Bravo neutralizoi çdo tentativë të Valverde, Vinicius e Nacho.

Me barazimin 0-0, Reali ngjitet në kuotën e 53 pikëve në renditje, por tashmë është 9 pikë larg Barcelonës kryesuese, që bëri detyrën përballë Valencia. Blaugranat regjistruan një fitore tejet të vuajtur, të vendosur nga goli i minutës së 16-të nga Raphinha. Sfida mbeti e komplikuar deri në fund, sepse fillimisht Ferran Torres gaboi penalltinë në fillimin e pjesës së dytë, teksa për afro 30 minuta, Barcelona luajti në inferioritet numerik, pas kartonit të kuq të Araujo.

Pavarësisht vështirësive, katalanasit morën maksimumin, duke u ngjitur në kuotën e 62 pikëve, ndërsa Valencia mbetet në vendin e parafundit, me rrezikun për të rënë nga kategoria.