E mundi në derbi, Colella i qetë, Shehi i zhgënjyer
Me fitoren 2-0 në derbi, trajneri Giovanni Colella duket se e ka siguruar bankinën e kuqe. Rezultatet e fundit të Partizanit vështirësuan jo pak punën e teknikut italian për të vazhduar me “Demat e Kuq”, megjithatë pas fitores së djeshme, Colella ka shuar çdo aludim.
Pas sfidës, italiani nuk dëshiroi të ndalej këtu, por te fitorja, ndërsa kërkoi vazhdimësi nga skuadra. “Unë jam i lumtur që skuadra fitoi. Kemi ndryshuar diçka në fazën e presionit. Në Shkodër do të luaja me 3, po kisha probleme me mbrojtësit dhe preferova t’i mbaja në gjendje më shumë se sa të rrezikoja t’i humbja. A jemi për titull? Mendoj se luajmë ndeshje pas ndeshje, nuk kemi luksin të mendojmë për gjë tjetër”, tha Colella.
Nga ana tjetër, tekniku Orges Shehi dhe presidenti Refik Halili pranuan se bardheblutë nuk e meritonin të fitonin, por presin sa më shpejt reagim nga skuadra. “Ne jemi nën presion. Duke mos pasur dy pyka të mirëfillta nuk e krijojmë dot lojën nga ajri. Janë disa episode që duhet t’i zgjidhnim më mirë. Kërkojmë që të jemi gjithmonë në kontakt me topin. Bëhet e vështirë për të marrë vendime”, tha Sheshi.
“Nuk e meritonim të fitonim. Kjo ishte e dukshme. Por detyra jonë është vetëm të shikojmë në ndeshjen e radhës. Pres reagim sa më të shpejtë nga skuadra”, u shpreh presidenti Refik Halili.
Ndeshja e radhës për Partizanin është përballë Vllaznisë të shtunën, ndërsa Tirana luan me Laçin në shtëpi.