Europa pret të zbulojë 8 “mbretëreshat”, Chelsea për të përmbysur Dortmund, Benfica thuajse në çerekfinale

Europa pret të zbulojë 8 “mbretëreshat”, Chelsea për të përmbysur Dortmund, Benfica thuajse në çerekfinale
Europa pret të njohë tetë mbretëreshat e këtij sezoni. Gara në Champions është e ethshme dhe objektivi është bileta në fazën çerekfinale.
Mbrëmjen e sotme të gjithë sytë janë në “Stamford Bridge”, aty ku Chelsea synon të përmbysë Borussia Dortmund. Londinezët nisen nga disavantazhi 1-0 i ndeshjes së parë. Kualifikimi mes tetë më të mirave të eventit do të bënte që ecuria e dobët me trajnerin Potter të hidhej pas shpine.
Gjermanët janë të avantazhuar prej suksesit në duelin e parë dhe faktit që kanë fituar 10 ndeshje me radhë. Por potenciali dhe kualiteti i jashtëzakonshëm i Chelsea mund të ndryshojë fatet e sfidës dhe të gjithë sezonit për blutë.
Më e lehtë për tu parashikuar ndeshja tjetër e mbrëmjes së kësaj të marte, ku Benfica do të luajë me Bruges. Përveç avantazhit që i jep publiku vendas në stadiumin da Luz, klubi nga Lisbona e ka hipotekuar vendin në çerekfinale prej suksesit 2-0 në ndeshjen e parë.
Pas ecurisë fantastike në grupe, Benfica nuk është dobësuar as nga shitja e Enzo Fernandez te Chelsea. Për më tepër, portugezët nuk kanë humbur asnjë nga dhjetë sfidat e mëparshme të luajtura në shtëpi përballë skuadrave belge, duke regjistruar 8 fitore dhe dy barazime.