Rikthyen “Vitin e Ri” në stadium për derbi, tre tifozë nën hetim, njëri prej tyre i mitur

Publikuar më: 7/3/2023, ora 13:44

Rikthyen “Vitin e Ri” në stadium për derbi, tre tifozë nën hetim, njëri prej tyre i mitur

Publikuar më: 7/3/2023, ora 13:44

Rreth 30 minuta ndërprerje e lojës. Fishekzjarrë, flakadanë dhe tymuese në fushë. Stola të thyer që fluturonin nga tribunat dhe pushtim i fushës. Si gjithmonë, derbi Partizani-Tirana u luajt mbi të gjitha në tribuna, nga dy tifozeritë.

Ngjarjet u shoqëruan me hetimin e tre personave. Policia e Shtetit njoftoi se ka nisur procedimin në gjendje të lirë për shtetasit A. Xh.,21 vjeç, A. G., 27 vjeç dhe një shtetas 15 vjeç. Gjatë ndeshjes së futbollit Partizani- Tirana, ata kanë kryer veprime të dhunshme, duke hedhur lëndë piroteknike, ndërsa shtetasi A. G. ka hyrë në fushën ku zhvillohej ndeshja.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 në kryeqytet i referuan materialet në Prokurori, ndërsa uniformat blu vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe procedimin penal e administrativ, të shtetasve të tjerë kanë kryer veprime të dhunshme dhe kanë hedhur lëndë piroteknike, gjatë dhe pas ndeshjes.

Prej rëndësisë dhe tensionit që kishte supersfida e Kategorisë Superiore, me 15 mijë spektatorë të pranishëm në stadium, situata doli nga kontrolli. Ndërprerje mbi 6 minuta në pjesën e parë, pasi lëndët piroteknike e bënin të pamundur të shihje në fushë.

Vonesa ishte edhe më e madhe gjatë pjesës së dytë, kur loja u ndërpre për afro 20 minuta. Gjatë asaj kohe, delegatët e federatës dhe arbitrat shqyrtuan edhe alternativën që loja të mos rifillonte pa iu zbrazur tribunat. Një vendim drastik që nuk u zbatua, pasi rrezikonte të shkaktonte kaos në Arenën Kombëtare.